Hyseni: Osmani do duhej t’ia kërkonte dorëheqjen Kurtit, pas deklaratës për Blinken

Aktuale

Hyseni: Osmani do duhej t’ia kërkonte dorëheqjen Kurtit, pas deklaratës për Blinken

Më: 7 qershor 2023 Në ora: 22:59
Skender Hyseni

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, vlerësoi që presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do duhej t’i kërkonte dorëheqje të menjëhershme, kryeministrit të vendit, Albin Kurti, pas deklaratës së tij, drejtuar sekretarit të shtetit, Antony Blinken, duke e quajtur atë “naiv”.

Blinken pati thënë se “vendimi për të përdorur forcën për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të vendit, ishte marrë kundër këshillave të ShBA-së dhe partnerëve evropianë”. Me ç’rast, Kurti më tej ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj kësaj deklarate.

“Gjëja e parë që do duhej ta bënte presidentja jonë “inegzistente”, Vjosa Osmani, pas deklaratës së Kurtit që Blinken është naiv, do duhej ta ftonte kryeministrin dhe t’ia kërkonte dorëheqjen. Tu referohesh përfaqësuesve zyrtarë të Amerikës ose të BE-së, si individ, është gabimi tjetër më i madh që u bë. Kurti në esencë dëshiron ta luajë rolin e një sovrani absolut, pa e pasur fuqinë të as një gjysmë sovrani. Ky është keq lexim i fuqisë së tij”, deklaroi Hyseni.

I pyetur se a sheh racionalitet në veprimet e Qeverisë aktuale sa i përket veprimeve në veri, Hyseni deklaroi se kjo është një përpjekje dinake e Kurtit për ta futur në konflikt NATO-n me Serbinë.

“Përpjekje e cila NATO  mund ta lexojë shumë fish më mirë se unë. Nëse Albin Kurti mendon që do ta fusë në luftë NATO-n me Serbinë në veri, atëherë është gabuar 100 fish”, theksoi tutje Hyseni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat