Kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës: Marrëdhëniet Kosovë - SHBA nuk janë cenuar

Aktuale

Kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës: Marrëdhëniet Kosovë - SHBA nuk janë cenuar

Më: 8 qershor 2023 Në ora: 00:30
Elmi Berisha

Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në nuk janë cenuar aspak dhe nuk janë në pozicione të nxehta siç po trumbetohet në opinionin kosovar.

Një deklaratë të tillë e ka bërë Elmi Berisha, kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, duke iu përgjigjur pyetjes nëse  ka shqetësim për raportet për Kosovë – SHBA.

“Kjo është një temë e nxehtë dhe shumë sensitive, prandaj mendoj se mediat në Kosovë dhe institucionet e shtetit, kryesisht parlamenti duhet të jenë të kujdesshme me këtë temë që është bërë shumë e nxehtë dhe duhet të jenë të balancuar gjatë prononcimeve. Absolutisht marrëdhëniet e Kosovës dhe Uashingtonit zyrtar nuk janë cenuar dhe nuk janë në pozicione të nxehta. Po them në linja të cilat duhet të jemi të kujdesshëm”, ka theksuar Berisha.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të jenë më serioze dhe të fillojnë bisedimet rreth Asociacionit sepse një gjë e tillë po kërkohet. Berisha po ashtu ka kërkuar koordinim të plotë me Uashingtonin zyrtar.

“Kjo nuk është asgjë e rrezikshme apo e pamundshme që Qeveria e Kosovës ta përpunojë një draft që do t’i paraqesë qëndrimet e Kosovës rreth krijimit të Asociacionit. Por sa i përket marrëdhënieve Amerikë-Kosovë, u tha shumë qartë nga Escobar dje që janë në vendin ku duhet dhe asnjëherë nuk do të çalojnë dhe nuk besoj se do të ketë tronditje të tilla. Përpos që duhet të jemi të organizuar dhe asnjëherë të mos veprojmë pa bisedime dhe pa pajtueshmërinë e plotë të Uashingtonit zyrtar. Kryesisht këtu është fjala për ambasadorin amerikan i cili është përkushtuar dhe është ndër njerëzit më të kualifikuar për punën e tij si ambasador amerikan por edhe që ia donë të mirën shqiptarëve”, është shprehur tutje kryetari i Vatrës.

Lidhur me shqetësimet e ditëve të fundit nga Uashingtoni zyrtar sa i përket qëndrimeve të institucioneve të Kosovës karshi situatës së fundit të krijuar, ai ka pranuar se ka hatërmbetje por sipas tij kjo nuk do të thotë se interesi amerikan është zvogëluar për Ballkanin Perëndimor dhe kryesisht lidhja me shtetin e Kosovës.

“Ne kemi detyra për të bërë si institucione të Kosovës, por njëkohësisht kemi edhe obligime ndaj shtetit tonë të ri, që të mos i ekzagjerojmë gjërat. Gota duhet të jetë gjysmë e mbushur. Trysnia nga mediat dhe opozita duhet të bëhet në doza të caktuara, të cilat nuk e dëmtojnë procesin, nuk e dëmtojnë Kosovën, nuk e dëmtojnë imazhin karshi ndërkombëtarëve. Kurse mediat Amerikën nuk duhet ta përmendin çdo ditë në Kosovë sepse Amerika na ka formuar, pa Amerikën nuk do të kishte shtet. Amerika nuk i ka prishur punët me Kosovën dhe Amerika nuk e merr në mënyrë personale asnjë lider në Kosovë apo diku tjetër, e sheh politikën e saj kombëtare. Politika e saj kombëtare lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen dhe zhvillimin e Kosovës. Qeveria ka obligim enorm, duhet menjëherë ta rregullojë draftin e formimit të Asociacionit, pse jo. Ai duhet të jetë pa mundësi ekzekutive, ne të gjithë e dimë këtë. Edhe amerikanët e kërkojnë në atë mënyrë. Kjo është një gjë që unë e preferoj që të ndodhte tani për tani në këto momente tensioni në Kosovë”, ka nënvizuar Berisha.

Sa i përket pasojave që mund të vijnë si rezultat i mos dëgjimit të këshillave amerikane, ai ka thënë se pasojat janë këto që shihen, hatërmbetje, prolongim në procese, shtyrje të procesit të bashkëpunimit të ushtrisë së Kosovës me NATO-n, por edhe te pjesa diplomatike, ndihmat financiare, zhvillimi ekonomik dhe liberalizimi i vizave jo shumë i largët edhe me SHBA-në.

“Këto janë ato qëndrimet që përmenden nganjëherë nga diplomacia amerikane dhe janë shumë të natyrshme. Por cenimi serioz në pikën e rrezikshme të marrëdhënieve SHBA-Kosovë nuk është dhe nuk besoj se do të jetë kurrë në të ardhmen. A mund të kemi sanksione nëse kemi mospajtime gjatë këtij procesi? Jo. Nuk mendoj se SHBA e ka këtë pjesë të politikës që dëshiron ta implementojë ndaj shtetit të Kosovës, pavarësisht nëse nuk kanë mirëkuptim nga lidershipi aktual apo çfarëdo lidershipi tjetër. Të gjithë lidershipët në Kosovë nuk kanë qenë korrekt gjatë zhvillimit, jo që nuk kanë dashur apo kanë menduar kundër politikave amerikane, por ka munguar eksperienca, ka munguar dija ndoshta, apo mungesa e eksperiencës në shtetndërtim dhe amerikanët e kanë të qartë këtë punë. Ne vetëm duhet të jemi të qetë dhe bashkëpunojmë dhe të mos e ndërmarrim asnjë hap pa u konsultuar me Ambasadën amerikane apo të deleguarit e SHBA-së për Kosovën. Dhe besoj se pastaj jemi në rrugë të mbarë”, ka përfunduar Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat