Inaugurohet projekti i zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë në Ferizaj

Aktuale

Inaugurohet projekti i zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë në Ferizaj

Më: 18 qershor 2023 Në ora: 14:24
Pamje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të projektit të zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë në Sallën e Sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj, investim ky realizuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë te Energjisë, në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt, që ka vlerën afër 500 mijë euro.

Kryeministri fillimisht, duke folur mbi benefitet e efiçencës elektrike, vuri në pah faktin se Strategjia për Energjinë, konkretisht rritja e efiçencës elektrike mbetet ndër synimet kryesore të Qeverisë.

Kjo edhe për faktin që shteti ynë ka një intensitet elektrik rreth tre herë më të lartë se shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Në drejtim me këtë, kryeministri Kurti tregoi se kemi ndërmarrë një mori projektesh të orientuara në rritjen e efiçiencës së energjisë që kapin shifrën prej 30 milionë euro.

Ai shtoi se vlera e 90 investimeve të tilla të realizuara në 22 komuna ka tejkaluar shifrën prej 12 milion eurosh nga Fondi për Efiçiencë të Energjisë, me një kursim të pritur prej 65% apo mbi 21 GWh/vit.

Tutje, pasi që amvisëria është sektori më potencial për uljen e konsumit të energjisë, nga viti i kaluar kemi filluar me pilotimin e programit të parë të masave të efiçiencës së energjisë në këtë sektor e që përfshinë investime në vlerë 6 milionë euro, prej nga kanë përfituar 10,000 qytetarë.

Nga ky sukses, kryeministri tha se do të planifikojmë edhe një investim tjetër në vlerën prej 30 milionë euro, i cili mundësohet falë Komisionit Evropian nga fondet e IPA të Pakos Emergjente për Energji.

Ndërkaq, për renovimin e Sallës së Sporteve në Ferizaj me sipërfaqe prej afër 3,000 m2 e me një kapacitet prej 1,800 ulëse, kryeministri tha se do të ketë një ndikim pozitiv në mjedis, do të reduktojë kostot e energjisë, si dhe do të përmirësojë ndjeshëm komfortin e brendshëm të ndërtesës dhe ndikojë në mirëqenien e sportistëve si dhe dashamirëve të sportit.

“Vlerësohet se këto masa të efiçiencës së energjisë do të rezultojnë në kursime të energjisë prej rreth 52% te konsumit bazë, pra më shumë se gjysma. Në të njëjtën kohë, ato do të kenë ndikime pozitive si për ambientin ashtu edhe për sportistët, me rastin e zëvendësimit të sistemit të ngrohjes me lëndë djegëse naftë në atë me biomasë,” shtoi kryeministri duke besuar se sportistëve tanë do të ju sigurohen kushtet optimale për zhvillimin e aftësive sportive dhe arritjen e objektivave të tyre,

Në fund, kryeministri ritheksoi përsëri se Qeveria mbetet e përkushtuar për investime në masat e efiçiencës së energjisë, pasi që ndihmojnë në rrugën drejt tranzicionit të gjelbër, promovon praktika të qëndrueshme dhe burime të pastra të energjisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat