QKRMT kërkon të mos kufizohet e drejta për aplikim për njohjen e statusit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

Aktuale

QKRMT kërkon të mos kufizohet e drejta për aplikim për njohjen e statusit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

Më: 19 qershor 2023 Në ora: 16:43
Foto nga vendi i ngjarjes

Në shënimin e “19 Qershorit” – Dita ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, QKRMT kërkoi që mos kufizohet e drejta për aplikim për njohjen e statusit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Sot, QKRMT organizoi tryezën “E drejta për njohje: Ndikimi i mungesës ligjore dhe afatizimit të aplikimit në procesin e njohjes për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë “, në të cilën morën pjesën deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, organizatat e shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe përfaqësues të Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të të mbijetuarve.

Në këtë tryezë, QKRMT i njoftoi deputetët për rëndësinë dhe nevojën e domosdoshme që afati kohor brenda të cilit të mbijetuarit mund të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre të mos kufizohet, por të jetë një drejtë e pa kufizuar në aspektin kohor.   

QKRMT nënvizoi se të drejtat e të mbijetuarve nuk mund të kufizohen nga qëllime administrative dhe se korniza ligjore, institucionale dhe administrative duhet të promovojë realizimin e këtyre të drejtave.

Për më tepër, zgjatja e afatit për aplikim për vetëm dy vjet, siç e parasheh draft-propozimi aktual  për ndryshim e ligjit, është në kundërshtim me peshën dhe natyrën e krimeve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Kësisoj, krimet e dhunës seksuale në kohë lufte, sipas së drejtës ndërkombëtare konsiderohen si krime kundër njerëzimit, prandaj edhe statusi i kufizimeve nuk do të mund të zbatohej për këtë lloj krimi që  përbën shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Gjithashtu, sipas praktikave të tjera ndërkombëtare, në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë, afati për aplikim për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale të kohës së luftës nuk është i kufizuar.

Kësaj kërkese, iu bashkuan organizatat e Platformës Bëhu zëri im (QKRMT, QPDG, Medica Kosova dhe Medica Gjakova), Rrjeti i Grave të Kosovës, Ngritja e Zërit dhe LIVCZHK.

Përndryshe, me 5 shkurt 2023 ka përfunduar afati i aplikimit për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Qeveria ka dërguar në kuvend projektligjin që mundëson zgjatjen e kohës së aplikimit edhe për dy vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat