U plagosën në Runik - në QKUK vazhdon trajtimi i njërit të plagosur, kurse tjetri u dërgua për Zvicër

Aktuale

U plagosën në Runik - në QKUK vazhdon trajtimi i njërit të plagosur, kurse tjetri u dërgua për Zvicër

Më: 11 gusht 2023 Në ora: 12:13
QKUK

Në Mjekimin Intensiv të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës po vazhdon trajtimi i personit që u plagos ditë e enjte në një lokal të fshatit Runikë të Skenderajt.

Shefi i Intensives, Shaqir Uka në një deklaratë tha se gjendja e personit të plagosur, të cilit ditën e enjte i është dashtë t’i amputohet këmba është duke shkuar drejt përmirësimit.

“Është duke vazhduar trajtimi i personit të plagosur, gjendja është më stabile se dje. Por, duhet ende të vazhdojë trajtimin në Klinikë”, tha ai.

Ndërsa, i riu tjetër i cili u plagos është dërguar për tretman mjekësor në Zvicër, pasi i njëjti jeton dhe vepron në shtetin zviceran.

Ndryshe, vrasja e rëndë ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesi të së enjtes në një kafiteri në Skenderaj, ku ka mbetur i vrarë një person dhe tre të tjerë janë plagosur.

Më saktësisht ngjarja ka ndodhur në fshatin Runik të Skenderajt rreth orës 01:21.

Lajmin për Telegrafin e kishte konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor”, ka thënë ai.

Sipas tij, bazuar në hetimet fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona. Njëri nga të lënduarit viktima N. L, 39 vjeçar ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar (po ashtu nga arma e zjarrit) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK.

Lidhur me rastin, Policia ende nuk ka arrestuar asnjë të dyshuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat