Balaj: Pas një shtatorit, prindërit duhet t’i blejnë edhe librat për lëndë zgjedhore

Aktuale

Balaj: Pas një shtatorit, prindërit duhet t’i blejnë edhe librat për lëndë zgjedhore

Më: 3 shtator 2023 Në ora: 10:51
Enver Balaj

Vendimi i Ministrisë së Arsimit, që librat shkollorë të blihen nga prindërit, po u sjellë atyre vështirësi të mëdha. Krahas kostos financiare, ka pasur edhe një ankesë tjetër nga Këshilli i Prindërve.

Në mesin e librave që u nevojiten nxënësve janë edhe librat e lëndëve zgjedhore.

E kjo, për sekretarin e Këshillit të Prindërve, Enver Balaj, paraqet edhe një sfidë tjetër, pasi që prindërit fillimisht duhet ta dinë se çfarë libri ka përzgjedhur mësimdhënësi.

“Sipas informacioneve që kemi dhe burimeve nga Ministria e Arsimit dhe nga DKA-të komunale me udhëzimin administrativ të ri të Ministrisë së Arsimit, ka dhënë mundësi me i përzgjedh ligjëruesit lëndët të cilat duan t’i ligjërojnë. Fëmijët duhet që me një shtator, kur të shkojnë në shkollë, me kërku nga kujdestarët e klasave prej cilave tekste shkollore kanë më mësu edhe me e pas listën, me e qu tek prindërit e vet, për me i ble tekstet shkollore”, u shpreh Balaj.

“…Ju kisha sugjeru të gjithë fëmijëve dhe të gjithë prindërve që ta kërkojnë listën nga kujdestari i klasës prej cilave tekste kanë më mësua.”

Mirëpo, për njohësin e çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, sigurimi i këtyre librave nuk do të jetë problem sepse lëndët zgjedhore nuk janë të kufizuara në tekstet shkollore.

“Përzgjedhja e teksteve, materialeve mësimore për lëndë zgjedhore është pjesë e kurrikulës. Me zgjedhje që do të thotë se i takon vetë institucioneve mësimore, në këtë rast shkollave dhe komunitetit të shkollës, që ta përcaktojnë lëndën zgjedhore dhe materialit mësimor korrespondues”, ka thënë ai.

“Ne e kemi pasur, bie fjala në vitet e mëparshme, lëndë zgjedhore të yoga-s, për të cilën nuk ka tekste shkollore por ka aktivitete. Kemi lëndë të tjera, për të cilat nuk ka tekste shkollore, por ka materiale mësimore. Pra, lëndët zgjedhore shumë pak janë të kufizuara në tekstet shkollore dhe i takon vetë komunitetit, mësimdhënësve që të përcaktojnë se kush duhet të jetë ajo mundësia e tyre e zhvillimit të këtyre orëve mësimore dhe me çfarë materiali”.

Sipas tij, mësimdhënësit nuk duhet ta cenojnë mësimin vetëm më tekste shkollore deri sa të gjithë nxënësit të pajisen me libra.

“Në gjykimin tonë, nuk vlerësoj që procesi mësimor të cenohet për shkak të ristrukturimit të shpërndarjes së teksteve shkollore. Jam shumë i bindur që në shumë shkolla dhe plot prindër tashmë i kanë siguruar tekstet shkollore. Ngelet pastaj komuniteti i mësimdhënësve që më shumë përkushtim t’i mirëpresin dhe të mos e cenojnë mësimdhënien me tekst shkollor vetëm, derisa të sigurohen të gjithë nxënësit me tekste shkollore”.

Ministria e Arsimit ka marrë vendim që librat t’i blejnë prindërit, ndërsa më pas do të rimbursohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat