Zeka: Qeveria të tregohet më konstruktive në normalizimin e raporteve ekonomike me Serbinë

Aktuale

Zeka: Qeveria të tregohet më konstruktive në normalizimin e raporteve ekonomike me Serbinë

Më: 6 shtator 2023 Në ora: 19:37
Arian Zeka

Kryetari i Odes Ekonomike Amerikane, Arian Zeka ka folur për ndikimin ekonomik të masave kufizuese ndaj mallrave të Serbisë në vendin tonë.

Sipas Zekës, Qeveria e Kosovës do të duhej të tregohej më konstruktive sa i përket normalizimit të raporteve ekonomike me Serbinë, pasi siç tha ai, pasojat po i vuajnë vet qytetarët e vendit.

“Qeveria duhet të tregohet më konstruktive për sa i përket këtij aspekti do me thënë edhe të normalizimit ekonomik të raporteve me Serbinë dhe normalizimit të përgjithshëm, pasojat po i vuajnë qytetarët e vendit. Tashmë është konfirmuar edhe nga ana e shefit të ekzekutivit që megjithatë Kosova është duke iu nënshtruar disa masave ndëshkuese të vëna nga Bashkimit Evropian. Po humbim do me thënë, qindra miliona euro të ndihmave të instrumenteve të ndryshme, instrumenteve parahyrëse të mbështetjes 500 milionë euro ose më tepër në muajt në vijim. Natyrisht që kanë shumë të rëndësishme për një ekonomi të brishtë siç është kjo e Kosovës”, tha ai.

Tutje Zeka tha se kanë pranuar shqetësime edhe nga kompani individuale amerikane, operacionet e të cilave janë ndikuar nga masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës.

Teksa për këtë çështje i njëjti tha se javë më parë i janë drejtuar me një shkresë edhe vet kryeministrit të vendit, Albin Kurti por që nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

“Ne megjithatë deklarata jonë reflekton këto shqetësime të kompanive individuale amerikane të cilat operacionet e të cilave janë ndikuar si pasojë e këtij vendimi të Qeverisë. Mendoj që përgjigjen më të mirë kryeministri dhe qeveria e ka dhënë tashmë edhe publikisht duke treguar që masat megjithatë do të mbesin në fuqi”, shtoi Zeka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat