Instruktori në mesin e 10 më të mirëve në botë, Gjonaj: Largimi i terroristëve serbë nga Banjska me siguri është bërë me marrëveshje

Aktuale

Instruktori në mesin e 10 më të mirëve në botë, Gjonaj: Largimi i terroristëve serbë nga Banjska me siguri është bërë me marrëveshje

Më: 20 tetor 2023 Në ora: 20:12
Ilustrim

Shqiptari, Uliks Gjonaj që bën pjesë në mesin e 10 instruktorëve të vetëm në botë, siç quhen në gjuhën profesionale të tyre, instruktor i nivelit 8, që është njëri prej niveleve më të larta për siguri thotë se beson që terroristët serbë u larguan nga Banjska e Zveçanit më 24 shator 2023 me një marrëveshje.

Ai ndër tjera, i ftuar në emisionin “FAKTE me Adnan MEROVCIN” në Klan Kosova ka vlerësuar edhe intervenimin e Njësisë Speciale në këtë aksion, për të cilin tha se u krye në mënyrë profesionale.

“Sa i përket intervenimit të Njësisë Speciale, unë shoh që e kanë pas një maturi shumë të madhe, një profesionalizëm, kuptohet edhe me bashkëpunimin e amerikanëve. Me aq sa kam pa, ata [terroristët] kishin pas një armatim shumë të fuqishëm, mirëpo morali dhe përgatitja e Policisë sonë e ka bërë të mundur neutralizimin e tyre. Policia me të vërtet ka treguar një profesionalizëm duke i treguar edhe botës që ne jemi çdo herë kur nevojitet mbrojtja”, u shpreh ai.

Një diskutim i madh në opinion që nga ky sulm terrorist ka qenë edhe ikja e tyre. Anipse institucionet e Kosovës thanë se nuk ka pasur korridor për ta, një gjë të tillë nuk po e beson Gjonaj.

“Po e shoh vetëm nga një kënd, sepse nuk mundem më bë shumë analiza aty. Largimi me siguri është bërë me ndonjë marrëveshje apo diçka, sepse ikja e tillë është pak e çuditshme. Vullneti dhe besimi i madh i forcave tona ka qenë që të jenë aty dhe t’i neutralizojnë, mirëpo është hapur ai korridor dhe ata kanë ikë”, shtoi Gjonaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat