Zeka: Kosova po futet në rrugë diplomatike pa krye

Aktuale

Zeka: Kosova po futet në rrugë diplomatike pa krye

Më: 19 shkurt 2024 Në ora: 18:22
Foto ilustrim

Izmi Zeka, ish-zëvendësministër i Brendshëm, ka thënë se pas vendimit të BQK-së për ndalimin e dinarit, Kosova po futet në një rrugë diplomatike “pa krye”.

Në një linjë direkte në emisionin “Five”, ku u diskutua gjuha e liderëve në situata  të tilla, Zeka e quan problematike qasjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit.

“Është problematike edhe qasja e presidentes. Ishte një fjalor diplomatik i saj. Kosova tash si duket po futet në një rrugë diplomatike pa krye. Me partnerë duhet të kihet kujdes në qëndrime sepse ata nuk dëshirojnë lojëra fjalësh. Çështja me dinarin prapë do të zvarritet. Kjo qeveri me aq ngulm, prapë do ta shtyjë por çfarë po bëjmë ne, po arrijmë në një farë forme t’i humbin këta aleatë. Amerikanët janë partnerë historik tanë”, tha ai.

Jeton Halimi, nga Instituti i Studimeve Evropiane, thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e përdorë me mjeshtri presidenten Osmani.

“Kurti me shumë mjeshtri të paktën e përdorë presidencën dhe e fut në lojë… Kur i konvenon Kurtit e bën të reagojë e kur nuk i pëlqen i thotë mos reago, dhe ajo hesht”, tha ai.

Në anën tjetër, Valdet Hoxha, njohës i sigurisë, ka thënë se kërkesa e ndërkombëtarëve për shtyrjen e vendimit të BQK-së, është një kujdes i tyre ndaj Kosovës në mënyrë që kjo temë të mos përdoret nga Serbia.

“Këto vendime janë gjetur në një periudhë të zhvillimeve të mëdha gjeo-strategjike. Është një kujdes i partnerëve ndërkombëtarë që të mos shfrytëzohet kjo temë nga Serbia si zgjatim i Federatës ruse për ta shtuar presionin vetë serb ndaj komunitetit serb në Kosovë. Është koha kur Federata ruse në praktikë është në ofensivë, po ashtu Kina po pret se si do të zhvillohen ngjarjet në Ukrainë. Po rishkruhet rendi i ri botëror. Edhe tani jemi në luftë të tretë të ftohtë…”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat