Deputeti i PDK-së në Kuvend: Morëm një lajm mjaft të keq, një shqetësim të madh

Aktuale

Deputeti i PDK-së në Kuvend: Morëm një lajm mjaft të keq, një shqetësim të madh

Nga: Bota sot Më: 7 mars 2024 Në ora: 07:32 Përditësuar në ora: 12:11 më 07.03.2024
Kuvendi i Kosovës

Haradinaj: Jemi hipokritë, po përkrahim heqjen e viteve kontributdhënëse të mësuesve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për mosprezencën e krerëve të saj në Ditën e Mësuesit.

Haradinaj po ashtu akuzoi të gjithë, përfshirë dhe veten se janë hipokritë, se po përkrahin ndryshimet ligjore me iu heq vitet kontribut dhënëse.

"Në Ditën e Mësuesit Qeveria po mungon, nuk është këtu, edhe pse po mungon e si po mungon. Këtë ditë ka qenë e udhës me dhënë ndonjë lajm të mirë për mësuesit, pra nuk ka ditë më të duhur se kjo se për me ardh pjesëtari i Qeverisë dhe me tregu se çka ka ndërmarrë për të përmirësuar pozitën e mësimdhënësve, pra nuk ka ndodhur kjo. Normal që nuk ka ndodhur.

Jo vetëm kaq, jemi hipokritë ne që i rrahim shuplaka, të gjithë, për veteranët e arsimit, e në të njëjtën kohë përkrahim ndryshimet ligjore me iu heq vitet kontribut dhënëse, imagjinojeni sa hipokritë jemi.

Po ashtu po punohet prapa shpine, me arrogancën e numrave me ndryshuar kontratën individuale, pra me ia cenuar të drejtat."

Zemaj: Mungesa e barnave shkojnë në tenderët brenda Ministrisë së Shëndetësisë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, uroi fillimisht mësimdhënësit në ditën e tyre.

Ai më pas parashtroi një pyetje, pse çdo herë po ka barna më pak në spitalet tona?

“Çështja që dua ta adresojë sot këtu është mungesa e barnave. Po themi të barnave e jo vetëm mungesë të buxhetit. Ka mbet dhe është zhgënjyese kur po kuptojmë se në spitalet tona po ka barna më pak se çdo herë, e sot po pyesim pse po ndodh kjo, pse ka barna më pak?”.

Ish-ministri i Shëndetësisë dha një shembull se ku kjo mungesë e barnave po shkon.

“Për një barë, çmimi për tetë cikle që do të duhej të ishte dhe është në listën esenciale të barnave, del më një çmim 2720 eurove. Ndërsa sipas futjes së duarve në listën esenciale të barnave dhe dhënies së tenderit një çmim për të njëjtin bar, për tetë cikle na ka dalë 11 mijë e 270 euro”, tha Zemaj.

“Totali, krahasimi tender me tender, brenda Ministrisë së Shëndetësisë është diku më shumë se 800 mijë euro, ja ku shkojnë mungesa e barnave”.

Hoxha: Në krye të sektorit të arsimit është një ministre përçarëse

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha deklaroi se vetëm në dy muajt e fundit rreth 600 mësimdhënës janë larguar nga Kosova. Ajo u shpreh se qeveria aktuale ka injoruar, bullizuar e anashkaluar përfaqësuesit e sektorit të arsimit. Hoxha tha se mungesa e vëmendjes së qeverisë është shqetësuese, duke shtuar se në krye të sektorit të arsimit është një ministre përçarëse.

Teksa uroi të gjithë mësimdhënësit në ditën e mësuesit, Hoxha tha se të njëjtit po ballafaqohen me sfida të shumta.

“Sot në liri e pavarësi mungesa e vëmendjes së qeverisë ndaj ofrimit të kushteve më të mira të punës për mësimdhënësit është shqetësuese. Duke neglizhuar kushtet e tyre të punës, qeveria thellësisht zvogëlon vlerën e tyre të punës të palodhur dhe përkushtimin e tyre. Shpreh revoltën time dhe zhgënjimin tim për mos trajtimin e arsimit si prioritet. Dua të përkujtoj se në mesin e premtimeve të shumta që kishin dhënë qeveria Kurti, ishte një ‘Qeveria e Kurtit do të jetë qeveria e arsimit, për arsimin’. E megjithatë nëse ne e shikojmë në retroskpektivë, ju e injoruat atë e anashkaluat dhe madje e bullizuat përfaqësuesit e tyre”, deklaroi Hoxha.

Sipas saj, asnjë vit nuk kanë filluar mësimin shkollat me gëzim dhe normalitet. Ajo tha se greva e sindikalistëve mësimdhënës, injorimi i kërkesave dhe mungesa e dialogut mbetet shqetësim.

“Nga 160 çerdhe të premtuara, keni rezultuar as 10 për qind të tyre. Rezultati në PISA është më keq se që ishte edhe në vitin 2018 e të tjera e të tjera. Dhe si për ironi sot në liri, mësimdhënësit vetëm në këto dy muaj e fundit rreth 600 sosh janë larguar nga Kosova. Është e dhimbshme të shohësh se si shkollat përballen me resurse të mangëta, programe të vjetra, punëtorë të arsimit të kërcënuar dhe të demotivuar dhe të nënvlerësuar me pasiguri, pa qasje, pa integrim e motivimeve e rezultate të kënaqshme”, u shpreh ajo.

Deputetja e PDK-së shtoi se vëmendja për arsimin duhet të jetë mobilizim kombëtar, institucional e qytetar.

“Shpreh revoltën time që në krye të këtij sektori kemi vendosur një ministre përçarëse dhe jo kompetente. Një ministre që jep shembullin e keq prej shkeljes së Kushtetutës e tutje. Të investosh në arsim është të investosh në të ardhmen tonë, të vlerësosh kontributin e tyre në të kaluarën, është të motivosh ata për më shumë punë dhe përkushtim duke vënë në dritë rol modele të reja për fëmijët e të rinjtë e Kosovës”, përfundoi ajo.

Hoxha: Vetëm në dy muajt e fundit, 600 mësimdhënës janë larguar nga Kosova

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë se është shqetësuese që arsimi sot nuk është prioritet për qeverinë.

Sipas saj, qeveria e ka injoruar e bullizuar përfaqësuesit e arsimit e përfaqësues te sindikatave.

Nga foltorja e Kuvendit, Hoxha deklaroi se vetëm këto dy muaj nga Kosova kanë ikur 600 mësimdhënës.

“Sot në liri e pavarësi mungesa e vëmendjes së Qeverisë ndaj ofrimit të kushteve me të mira për mësimdhënësit është shqetësuese. Duke neglizhuar kushtet e tyre të punës, Qeveria zvogëlon vlerën e punës së tyre të pa lodhur. Shpreh revoltën time për mos trajtimin e arsimit si prioritet. Ju e injoruat atë e anashkaluat i bullizuat përfaqësuesit e tyre. Greva e sindikalisteve, injorimi i kërkesave të tyre dhe mungesa e dialogut vazhdon dhe mbetet shqetësim. Vetëm vjet 600 mijë euro të planifikuara në buxhetin e shtetit nuk ishin investuar asnjë cent për këtë. Rezultati në PISA është me keq se sa ishte ne 2018. Sot në liri, mësimdhënësit vetëm në dy muajt e fundit 600 sosh janë larguar nga Kosova”, ka thënë ajo.

​Betohet komisionerja parlamentare për FSK-në

Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës është betuar komisionerja parlamentare për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Remzie Zeqiraj.

Gjatë betimit, ajo tha se do i kryejë me besnikëri dhe në mënyrë të paanshme detyrat dhe funksionet që i ka të përcaktuara me ligj.

Zeqiraj: Betohem soleminisht se do i kryej me besnikëri funksionet

“Betohem solemnisht se do i kryejë me besnikëri dhe në mënyrë të paanshme detyrat dhe funksionet që më janë besuar me ligj. Se do t’i mbrojë dhe avancojë respektimin e të drejta dhe lirive të njeriut për rektrutët, kadetët dhe ushtarakët e FKS-së”, tha ajo gjatë betimit.

Pas betimit, ajo ka nënshkruar edhe tekstin e betimit.

Remzie Zeqiraj është zgjedhur komisionere parlamentare për FSK-në me datën 14 shkurt të këtij viti.

Për muaj me radhë nuk u miratuan – a pritet të kalojnë sot marrëveshjet ndërkombëtare pasi AAK tha se do të votojë pro?

Për muaj me radhë nuk arritën të miratohen marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend pasi opozita kishte bojkotuar votimin e tyre për siç deklaronin situatës politike në vend dhe mungesë së konsensusit për çështje të brendshme.

Edhe sot në seancën e Kuvendit të Kosovës janë në rend dite një sërë marrëveshje ndërkombëtare, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës një ditë më parë konfirmoi se kjo parti ka vendosur të votojë pro.

Nga kjo parti në një përgjigje për Telegrafin kanë thënë se këtë do ta bëjnë pasi marrëveshjet janë në shërbim të së mirës publike.

“Deputetët e Aleancës duke pasur parasysh që ato marrëveshje ndërkombëtare janë në shërbim të së mirës publike, do t’i japin mbështetje për shkak që është bërë një kohë e gjatë që janë bllokuar”, kanë thënë nga AAK-ja.

Tutje thuhet se “qëndrimi ynë politik për të mos i votuar marrëveshjet ndërkombëtare në të kaluarën ka qenë për t’i treguar pozitës se sa e rëndësishme është opozita”.

“Dhe sa i rëndësishëm është debati parlamentar e ndërtimi i konsensusit për çështje të brendshme dhe jo për të dëmtuar të mirën publike”.

E seanca e Kuvendit të Kosovës sot është caktuar të mbahet në ora 10:00, me 30 pika në rend dite.

Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

Betimi i Komisioneres Parlamentare për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Remzie Zeqiraj,

Deklarimet jashtë rendit të ditës,

Pyetjet parlamentare,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,

Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-271 për  ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”,     

Votimi i Projektligjit nr.08/L-273 për  ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFW, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-281 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare,  për  pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian,

Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-270 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat,

Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-280 për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”,

Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-056  për Këshillin Prokurorial të Kosovës,

Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-289 për Komisionin e Pavarur të Mediave,

Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-277 për sport,

Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,

Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,

Votimi i  Propozim-rezolutës për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore,

Votimi për themelimin e Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Organit Shqyrtues të Prokurimit,

Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës,

Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,

Zgjedhja e një anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës, përfaqësues nga shoqëria civile,

Zgjedhja e katër anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre tre nga radhët e komunitetit shqiptarë dhe një nga radhët e komunitetit serb,

Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,

Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2022,

Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2022. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat