Hill i konfirmon dallimet në QUINT për anëtarësimin në KiE: Kosova t’i përmbushë obligimet, flas në emër të SHBA

Aktuale

Hill i konfirmon dallimet në QUINT për anëtarësimin në KiE: Kosova t’i përmbushë obligimet, flas në emër të SHBA

Më: 29 mars 2024 Në ora: 23:41
Christopher Hill

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd Christopher Hill në një intervistë për mediat në Serbi ka thënë se për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës nuk mund të flet në emër të vendeve të QUINT’it.

”Mund të flas vetëm në emër të Qeverisë sime sepse në QUINT ka shumë diskutime për këtë temë. Qëndrimi i Qeverisë sime është që Kosova duhet t’i plotësojë obligimet e saj nga marrëveshja e Brukselit, nëse nuk e bën këtë, kjo gjithësesi se e komplikon interesimin e saj për t’u bërë pjesë e BE’së dhe organizatave tjera. Mendoj se të gjithë mund të fokusohen në atë se çfarë duhet të bëhet që kërkesa, do të thosha historike, sipas marrëveshjes së Brukselit, të përmbushet, dhe mendoj se të gjithë mund t’i përkushtohen kësaj detyre”, ka thënë Hill.

Ambasadori amerikan në Serbi shton se procesi i anëtarësimit të Kosovës në KiE është i lidhur me Aneksin e Ohrit.

” Sa i përket dëshirës së Kosovës dhe aplikimit të saj në Këshillin e Evropës, do të flitet shumë, do të ketë një debat të gjallë dhe në një farë mënyre e gjitha është e lidhur me Marrëveshjen e Ohrit. Marrëveshja e Ohrit vendos disa detyrime, kërkesa për të dyja palët, kështu që ne duhet të shohim se si do të shkojë, por sigurisht që ata duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, kjo është e qartë për të gjithë ne mendoj. Por ata duhet të kalojnë nëpër krejt procesin”.

I pyetur rreth themelimit të Asociacionit, Hill ka thënë se “mendon se do të ndodhë, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është shumë i arsyeshëm – një zgjidhje për të gjithë. Asociacioni do të ndihmonte në tejkalimin e shumë problemeve dhe vështirësive aktuale që ka komuniteti serb në Kosovë. Mendoj se Asociacioni është i nevojshëm edhe për të ardhmen e Serbisë, dhe për të ardhmen e Kosovës, kështu që besoj se do të ndodhë. Është një proces negociues që është i vështirë. Shumë lëvizje luajnë rol në këtë, por mendoj se ajo që është thelbësore, e kam thënë tashmë shumë herë, është se për komunitetin serb në Kosovë është e rëndësishme se cila do të jetë e ardhmja e tyre dhe cila do të jetë e ardhmja e fëmijëve të tyre. Mendoj se Asociacioni është mënyra më e mirë për ta arritur atë”, ka theksuar diplomati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat