Specialja del me njoftimin e fundit, lidhet me Thaçin – ja çka konstatoi Trendafilova

Aktuale

Specialja del me njoftimin e fundit, lidhet me Thaçin – ja çka konstatoi Trendafilova

Më: 12 prill 2024 Në ora: 12:32
Hashim Thaçi

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka refuzuar kërkesën e ish-presidentit Hashim Thaçit për zëvendësimin e gjyqtarit Nicolas Guillou si gjyqtar i vetëm në lëndën me numër KSC-BC-2018-01 pas emërimit të tij si gjyqtar i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN).

Në njoftimin e bërë për media nga Specialja thuhet se gjykatësi mund të zëvendësohet vetëm atëherë kur ata nuk nuk janë në gjendje të ushtrojnë detyrën e tyre.

“Më 8 prill, Kryetarja e DHSK-së Ekaterina Trendafilova rrëzoi kërkesën e Hashim Thaçit për zëvendësimin e gjykatësit Nikola Giju si Gjykatës i Vetëm në çështjen me numër KSC-BC-2018-01, pas emërimit të tij si gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN). Kryetarja sqaroi se ajo mund t’i zëvendësojë gjykatësit vetëm në rast se gjykatësit nuk janë në gjendje të ushtrojnë detyrën e tyre për shkak të angazhimit në një veprimtari ose profesion tjetër. Nuk është kështu në rastin e gjykatësit Giju, tha ajo, pasi ai do të fillojë t’i ushtrojë detyrat e tij gjyqësore në GJPN më 19 gusht. Deri në atë kohë, ai është i disponueshëm për të ushtruar detyrat e tij në DHSK”, bëhet e ditur në njoftim.

Më tej, në komunikatë thuhet se kryetarja e DHSK-së hodhi poshtë pa e shqyrtuar kërkesën alternative të Mbrojtjes për heqjen e gjykatësit Giju.

“Kryetarja konstatoi, ndër të tjera, se kërkesa ishte e pabazuar dhe Mbrojtja nuk paraqiti asnjë argument pse pozita gjyqësore e gjykatësit Giju në një gjykatë tjetër, që nuk ka përplasje juridiksioni me DHSK-në, mund të ndikojë në pavarësinë e tij”.

Ndryshe, mbi 50 dëshmitarë janë dëgjuar për një vit në procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale ndaj ish presidentit Thaçi dhe të tjerëve.

Sipas aktakuzës së ZPS-së, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për krime kundër njerëzimit e krime lufte, që pretendohet se janë kryer ndërmjet marsit të vitit 1998 e deri në shtator të vitit 1999.

Megjithëse procesi kishte filluar një vit më parë, ata janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat