​Komisioni për Mjedis miraton në parim Projektligjin për ofruesin e shërbimeve të navigacionit ajror

Aktuale

​Komisioni për Mjedis miraton në parim Projektligjin për ofruesin e shërbimeve të navigacionit ajror

Më: 28 maj 2024 Në ora: 15:30
Foto nga vendi i ngjarjes

Komisioni për Mjedis ka miratuar në parim Projektligjin për ofruesin e shërbimeve të navigacionit ajror. Qëllimi i kësaj nisme ligjore, u tha se është që të rregullojë statusin, mënyrën e organizimit dhe kompetencat e ofruesit të shërbimit të navigacionit ajror. Në mbledhjen e sotme të këtij komisioni është miratuar edhe Projektligji për rrugët.

Kryetarja e Komisionit për Mjedis, Fitore Pacolli tha se Projektligji për ofruesin e shërbimeve të navigacionit ajror nuk ka kosto shtesë buxhetore.

Pacolli: Ky projektligj i ka 30 nene, nuk ka kosto shtesë buxhetore

“Ky projektligj i ka 30 nene dhe ka për qëllim të rregullojë statusin, mënyrën e organizimit, kompetencat e ofruesit e shërbimit të navigacionit ajror si subjekt i pavarur, juridik, shtetëror në shërbim të interesit publik për të siguruar infrastrukturën dhe shërbimet e navigacionit ajror në hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës. Opinioni për vlerësimin e ndikimit buxhetor nga Ministria e Financave thotë se nuk do të ketë kosto shtesë buxhetore. Opinioni ligjor i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së thotë se projektligji është në përputhje me gjitha rregulloret dhe direktivat e BE-së”, deklaroi ajo.

Në mbledhjen e sotme është shqyrtuar edhe projektligji për rrugët, ku deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Milazim Salijaj bëri të ditur se raporti ka 95 amendamente.

Salijaj: Projektligji gjithsej ka 60 nene

“Grupi punues ka mbajtur gjithsej tetë takime ku bashkë me përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor si sponzorizues të projektligjit ka shqyrtuar dhe amandamentuar projektligjin. Grupi punues e ka përgatitur raportin me 95 amendamente për komision ku ju ftojë për votim. Projektligji gjithsej ka 60 nene”, tha ai.

E deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani ka kërkuar sqarime sa i përket emërtimeve “autostradë” dhe “autoudhë”.

Shabani:Përkufizimi i ‘autoudhës’ dhe ‘autostradës’

Tek përkufizimi i ‘autoudhës’ dhe ‘autostradës’ tek ligji më parë që e kemi miratuar e kemi quajtur ‘autostradë’ tash me Ligjin për Rrugët e kemi paraparë ‘autoudhë’. Jam i bindur se më mirë do të ishte bazik që të quhej ‘autoudhë’, mirëpo duhet të mendohet se çfarë të bëhet me ligjin e mëparshëm që është miratuar”, ka pyetur ai.

Në këtë komision u tha se është vendosur që emërtimi të jetë ‘autoudhë’ për shkak se përcaktohet mirë se çka përfshin si i tillë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat