Çka u tha në takimet e rëndësishme të Osmanit me zëvendëspresidenten Harris dhe këshilltarin Sullivan

Aktuale

Çka u tha në takimet e rëndësishme të Osmanit me zëvendëspresidenten Harris dhe këshilltarin Sullivan

Më: 17 qershor 2024 Në ora: 09:38
Foto nga takimi

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë Samitit të Paqes për Ukrainën në Zvicër ka pasur takime të rëndësishme me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Osmani ka takuar zëvendëspresidenten Kamala Harris, Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Biden, Jake Sullivan, dhe ambasadorin Michael Carpenter-Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri të Shtëpisë së Bardhë. Çka u bisedua?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për dy ditë ka marrë pjesë në samitin e Paqes për Ukrainën.

Osmani ka takuar fillimisht Zëvendës Presidenten e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris.

Sipas njoftimit, Osmani tha se Harrisit i “përcolla mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen e palëkundur dhe miqësinë tonë të përjetshme!”.

Pas këtij takim, presidentja Osmani është takuar edhe me Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Biden, Jake Sullivan, dhe ambasadorin Michael Carpenter- Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri të Shtëpisë së Bardhë.

Me ta ka biseduar për rritjen e bashkëpunimit.

“Një takim i rëndësishëm me Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Biden, z. Jake Sullivan, dhe Ambasadorin Michael Carpenter- Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri të Shtëpisë së Bardhë, mbi rolin jetik të Shteteve të Bashkuara për paqe dhe siguri të qëndrueshme si dhe për rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit tonë. ”, ka shkruar ajo.

Fjalimi i Osmani në Samitin e Paqes

Gjatë fjalimit të saj në Samitin e Paqes për Ukrainën në Zvicër, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani bëri thirrje të forta për solidaritet dhe angazhim të fuqishëm ndërkombëtar në përgjigje të agresionit të vazhdueshëm të Rusisë në Ukrainë.

“Që nga shkurti i 2022-ës bota ka parë një agresion që jo vetëm kërcënon sovranitetin e një kombi, por edhe shpirtin e Evropës”, tha ajo më tej.

Osmani ka thënë se agresioni i Rusisë u ka kujtuar të gjithëve në Kosovë vuajtjen e tmerrshme që sjell lufta dhe radhën e tyre për të ndihmuar.

“Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës u ka kujtuar të gjithëve në vendin tim dy gjëra, e para vuajtjen e tmerrshme që lufta sjell, dhe e dyta që tani është radha jonë që të dhurojmë”, tha Osmani.

Osmani ka rrëfyer edhe përvojat e saj të fëmijërisë gjatë luftës, duke i bërë thirrje botës që të mos mbyllë sytë para vuajtjeve të popullit ukrainas, si dikur me Kosovën.

“25 vjet më parë, isha një fëmijë i luftës i dëbuar nga shtëpia i fshehur nga bombardimet e agresorit në male dhe mbajta një radio të vogël në dorë për të dëgjuar së bashku me shumë fëmijë të tjerë udhëheqësit e mi si ju", tha Osmani.

“Ju erdhët për të na shpëtuar, vendi juaj nuk i mbylli sytë para vuajtjeve tona. Ju erdhët për t'na shpëtuar dhe më dhatë një shans të kthehem tani pas 25 vitesh dhe t'ju falënderoj që u bëtë shpëtimtari ynë. Uroj që ju t'u jepni të njëjtin shans fëmijëve të Ukrainës”, tha presidentja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat