Serbët kundër hapjes së Urës së Ibrit/ Kush merr përgjegjësi nëse ndodh ndonjë incident – kundërpërgjigjet Elshani

Aktuale

Serbët kundër hapjes së Urës së Ibrit/ Kush merr përgjegjësi nëse ndodh ndonjë incident – kundërpërgjigjet Elshani

Më: 8 gusht 2024 Në ora: 08:12 Përditësuar në ora: 13:22 më 08.08.2024
Foto nga debati

Serbët kundër hapjes së Urës së Ibrit: Kush merr përgjegjësi nëse ndodh ndonjë incident

Qytetarët serbë të cilët po marrin pjesë në debatin publik në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, ku është duke u diskutuar hapja e Urës së Ibrit, kanë dalë kundër hapjes së saj për qarkullim.

Përfaqësuesi i partisë politike “Demokracia Serbe”, ka thënë se nuk e përkrahin hapjen e urës, duke pyetur përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe zëvendësdrejtorin e Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, se kush do të marrë përgjegjësi nëse ndodh ndonjë incident ndërmjet qytetarëve. 

“Nuk e përkrahim hapjen e urës. Ju si përfaqësues të qeverisë a i merrni të gjithë përgjegjësitë nëse ndodh ndonjë incident. Tha që ka 20 persona të vrarë, nuk po flas për personat me etni. A jeni të gatshëm që kjo urë te hapet. Elshani do të ketë përgjegjësinë më të madhe këtu, si do të ndiheni nëse ndodh diçka”, ka thënë ai. 

Elshani duke iu kundërpërgjigjur këtij qytetari, ka thënë se për hapjen e urës ka një siguri të madhe dhe se ajo sigurohet edhe nga KFOR-i. 

“Është me rendësi me këtë parti politike, edhe incidenti i sotëm që ka ndodhur sot tejkalohet edhe kjo situatë. Policia e Kosovës që ka ardhur në maj ka hequr 17 flamura, te jesh i sigurt që ne nuk largojmë flamurin, me dashtë me heq flamurin prej Zveçanit e kishim hequr moti. Për të gjithë qytetarët e vendit dera e zyrës time është e hapur. Janë disa te cilat ne nuk mundin me zgjedh por ne bashkë ndjejmë me ju i kuptojmë problemet e qytetarëve. Ju thatë që ka pika kontrolli shumë, rasti i Banjska me mujt çdo 200 metra kisha qit patrulla. Ne nuk kemi shku me vra dikë në Banjska, urdhri ka qenë nëse sheh një person që është i armatosur dhe me uniformë do të gjuash. Jo për urë po asgjë mbi këtë tokë nuk garantohet, por me një siguri shumë te madhe po e them . Ura është Urë KFOR-i është aty ose kanë me shku të djathë ose në të majtë në rrugën nga Suhodolli”, tha Elshani.

Ministri Elbert Krasniqi, deklaroi se hapja e urës është me qëllim që t’i bashkoje qytetarët.

“Situata për dy komunitetet nuk është në rrezik. Kjo urë nuk do të ndikojë që të keqësohen raportet ndëretnike. Shteti do të jetë në krye të detyrës që siguria të jetë se secilin territor të Kosovës dhe për të gjithë qytetarët. Urat kanë një qëllim që të hapen që të bashkohen qytetarët. Ura është aty që t’i bashkojë qytetarët”, shtoi Krasniqi.

E një qytetar boshnjak ka thënë se është e nevojshme që të hapet ura, ai ka kritikuar gazetarët serbë që nuk kanë raportuar as një here për vrasjet e shqiptarëve në veri që nga pas lufta. 

“Asnjë nuk kanë pyetur që 24 vjet se si kanë kaluar shqiptarët aty, zotërinjtë që janë këtu serbë, 23 shqiptare janë vrarë në Veri nga paslufta dhe asnjë fjalë nuk e keni thënë ju gazetarët serbë. Pse mos me u hap ura, pse zotëri nuk e keni qit flamurin shqiptar, por të Serbisë, këtu jemi në Kosovë. Nuk bën as serbët as shqiptarët për me hapë urën duhet të gjithë me kaluar të lirë”, tha ai.

Qytetarja Olivera Miloseviq ka thënë se janë kundër hapjes së urës, pasi sipas saj hapja e saj është e panevojshme.

“Pse është e nevojshme të kaloj me veturë, nuk ka parking, as në jug as ne veri. As miqtë e mi shqiptarë e boshnjakë nuk duan të hapet ura”, ka thënë Miloseviq.

Qytetarët serbë përplasen verbalisht me zëvendëskomandantin e policisë në debatin për Urën e Ibrit

Ka nisur debati i thirrur nga komuna e Mitrovicës Veriore për hapjen e Urës së Ibrit ku po marrin pjesë përfaqësues nga Qeveria e Kosovës dhe nga kjo komunë.

Në pamje shihet se pati edhe një përplasje verbale mes disa qytetarëve serbë dhe zëvendëskomandantit të policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Elshani paraprakisht ka thënë se “sa i përket sigurisë, s’ka arsye që Ura e Ibrit të mbetet e mbyllur”.

“E pyesim vetën si Polici e Kosovës pse kjo urë është mbyllur. Do të ishte mirë nga ju të dëgjojmë se pse kjo urë duhet të mbetet e mbyllur, sepse nga aspekti i sigurisë s’ka arsye. Nëse është për me siguru, ne kishim gjetur forma për ta siguruar në forma të ndryshme”, ka thënë Elshani.

Pak serbë në debatin për hapjen e urës mbi Ibër

Në Mitrovicë të Veriut ka nisur debati për hapjen e urës mbi lumin Ibër, që po kundërshtohet nga serbët lokalë dhe bashkësia ndërkombëtare.

Në debat po marrin pjesë përfaqësuesit e kësaj komune dhe ata të Qeverisë së Kosovës.

Por, sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë, pjesëmarrës në debat janë një numër i vogël i qytetarëve serbë dhe se shumica e të pranishmëve janë asamblistë komunalë, përfaqësues të OSBE-së dhe mediave.

Ministri Krasniqi: Është absurde që Ura e Ibrit të jetë ende e mbyllur, hapja e saj nuk është kundër askujt

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka deklaruar se është absurde që Ura e Ibrit e cila ndanë Mitrovicën në dy komuna të jetë ende e mbyllur për qarkullim.

Ai këto deklarata i bëri në takimin e organizuar nga komuna e Mitrovicës së Veriut me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale ku u diskutua sa i përket hapjes së kësaj ure. 

Ai ka shtuar se hapja e saj nuk është kundër askujt dhe se Qeveria, sipas tij, me këtë vendim nuk e rrezikon por e forcon sigurinë në Veri të vendit.

“Në këtë komunë jetojnë komunitete të ndryshme, kosovarë, serbë, boshnjak e të tjera. Është shumë e rëndësishëm që kjo bisedë, mes nesh duhet të ndërtojmë sa më shumë ura te komunikimit dhe të thellojmë sa më shumë bashkëjetesën tonë. Si qeveri kemi marrë masa konkrete për të mbështetur familjen në këtë zonë. Gjithashtu shoqëria cilivile do ju mbajë drejtë të informuar. Ditëve të fundit është qarkulluar lajmi për hapjen e urës së Ibrit. Në atë plan thuhet se hapja e saj do të ndihmojë shumë dhe do të kontribuojë në shkëmbimin dhe mirëkuptimit. Është absurde që ajo urë të jetë ende e mbyllur. Hapja e saj nuk është kundër askujt, Qeveria nuk e rrezikon por e forcon sigurinë në Veri”, tha Krasniqi. 

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut Erden Atiq, ka thënë se nga ardhja në pushet në këtë komunë janë ballafaquar me sfida të ndryshëm por që kanë adresuar 90 për qind të brengave të qytetarëve. 

Ai sa i përket hapjesë së Urës së Ibrit ka thënë se janë të hapur për te bashkëbiseduar me qytetarët. 

“Siç e dini prej zgjedhjeve të jashtëzakonshme kemi ardhur në pushtetin komunal, me te gjitha sfidat që kemi pasur po me vjen mirë që në takimet që kemi pasur me qytetarët e veriut. E dimë që ka ende shumë punë për të kryer për të mos pasur pakënaqësi tek qytetarët. Nëse duhet me cek prej punëve tona jemi shumë krenar që Komunën e Mitrovicës me transformuar, mbi 90 për qind të brengave të qytetarëve i kemi taku dhe i kemi adresuar problemet e tyre me kapacitetet tona. Sa i përket qarkullimit të urës së Ibrit jemi të hapur për te bashkëbiseduar”, ka thënë Atiq.

Elashani: Sa i përket sigurisë nuk ka arsye që Ura e Ibrit të mbete e mbyllur

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë se sa i përket aspektit të sigurisë, s’ka arsye që Ura e Ibrit të mbetet e mbyllur, meqë Policia e Kosovës do të kishte gjetur forma të ndryshme për ta siguruar.

Ai në takimin me qytetarë të Mitrovicës së Veriut në objektin e Komunës, ka thënë se në pjesën Veriore ka shumë probleme dhe që sipas tij ato dihen.

Elshani i ka pyetur të pranishmit se do të ishte mirë të tregonin se pse mendojnë se ura duhet të mbetet e mbyllur.

“Ka shumë probleme qe ka Veriu i vendin që shumicën prej tyre i dimë dhe i kemi informuar të gjitha. E pyesim vetën si Polici e Kosovës pse kjo urë është mbyllur, do të ishte mirë nga ju me ndëgjuar se pse kjo urë duhet të mbetet e mbyllur, sepse nga aspekti i sigurisë s’ka arsye. Nëse është për me siguruar, ne kishim gjete forma për ta siguruar në forma të ndryshme”, ka thënë Elshani.

Debatit për Urën e Ibrit i paraprin protesta brenda objektit komunal

Ka nisur debati publik në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, ku temë kryesore është çështja e bashkëpunimit ndëretnik në këtë komunë dhe mundësia e hapjes së plotë për qarkullim të Urës së Ibrit.

Para fillimit të këtij debati të njoftuar dje nga kryeministri Albin Kurti, përfaqësues të subjektit politik joparlamentar “Demokracia Serbe”, kanë protestuar brenda objektit të Kuvendit Komunal, pasi sipas tyre, aktivistë të tyre sot janë shoqëruar në polici.

Kjo për faktin se siç thanë ata, flamuri i Serbisë është ngjyrosur sot në sheshin ku është mbajtur protesta dje.

Me të përfunduar “hallakama” brenda objektit, debati ka nisur dhe aty po flasin mes tjerash ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe nënkryetarja e komunës, Katarina Axhanqiq.

Qytetarët e Mitrovicës së Veriut sot diskutojnë për përfitimet që i sjell hapja e Urës së Ibrit

Komuna e Mitrovicës së Veriut organizon sot një takim dhe bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale me temën “Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”.

Aty, veq kryetarit Erden Atiq, do të marrin pjesë edhe Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani e zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Lidhur me këtë takim, dje, Kryeministri Albin Kurti tha se aty pritet të diskutohet për përfitimet nga hapja e Urës së Ibrit.

Ai i ka ftuar qytetarët serbë që të marrin pjesë në këtë diskutim, në të cilin ai ka thënë se do të diskutohet për përfitimet që qytetarët do të kenë nga hapja e Urës së Ibrit.

Takimi është paraparë të nis nga ora 11:00 dhe mbahet në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat