Ukaj: Asnjëherë policia nuk përballet me KFOR-in për Urën e Ibrit

Aktuale

Ukaj: Asnjëherë policia nuk përballet me KFOR-in për Urën e Ibrit

Më: 15 gusht 2024 Në ora: 19:08
Analisti politik, Fidan Ukaj

Analisti politik, Fidan Ukaj, ka thënë se defilimi i politikanëve nëpër Urën e Ibrit dhe në mbylljen e institucioneve paralele serbe, e ka dëmtuar procesin e hapjes së urës.

Ukaj tha se vetëm këto ditë, janë parë disa ministra te Ura e Ibrit, e të cilët sipas tij, asnjëri nuk merr vesh në stabilitetin e urës.

“Pra, ky defilimi politik po e dëmton mundësinë e hapjes së urës dhe po përdoren për konsum politik. Dhe kjo ngutia për ta hapur urën pa u koordinuar me EULEX-in dhe KFOR-in, mendoj se po tingëllon edhe si veprim për konsum elektoral”.

“Të gjitha veprimet e deritanishme kanë qenë në suaza të marrëveshjeve të akorduara më herët në Bruksel, si matja e stabilitetit të saj, largimi i grafiteve nacionaliste. Mirëpo, faza përfundimtare mendoj se duhet të jetë faza koordinuese me faktorët e sigurisë dhe varësisht nga vlerësimet e tyre duhet të hapet ura, e jo të ketë nguti, siç po bëjnë institucionet tona”, tha ai në “Info Magazine”.

Tutje, Ukaj tha se nuk do të ketë asnjëherë konfrontim mes policëve të Kosovës dhe ushtarëve amerikanë.

“Nuk do të ndodhë asnjëherë sepse ne e pamë ushtrimin e fundit që e patën njësitë më elite të Kosovës, me ato të Shqipërisë, pikërisht nën monitorimin e ShBA-ve”.

“Të gjithë komponentët tjerë të sigurisë, edhe KFOR-i në këtë rast, i bëjnë të qartë politikës kosovare se nëse eventualisht do të ketë një prezencë pa vullnetin e tyre në Urën e Ibrit, ata do të rezistojnë dhe mendoj se institucionet e Kosovës e marrin me seriozitet një gjë të tillë”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat