Kërcënimet e Vuçiq ndaj Kosovës, deputetja e LVV-së kërkon reagimin e BE-së

Aktuale

Kërcënimet e Vuçiq ndaj Kosovës, deputetja e LVV-së kërkon reagimin e BE-së

Më: 13 shtator 2024 Në ora: 15:16
Arbëreshë Kryeziu-Hyseni dhe Aleksandër Vuçiq

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, kërkon nga Bashkimi Evropian që të ndërmerr masa ndëshkuese ndaj Serbisë pas ngritjes së aktakuzës ndaj 45 të dyshuarve për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

Sipas saj, edhe kërcënimet e vazhdueshme të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq ndaj Kosovës po bëhen për shkak të tolerancës të aleatëve perëndimorë. Kryeziu-Hyseni, e cila është edhe kryetare e komisionit parlamentar për punë të jashtme, thekson se nëse sot Vuçiq shpall Kosovën “territor nën pushtim” duhen veprime konkrete të BE-së pasi një gjë e tillë është dështim edhe i tyre.

Deputetja e mazhorancës thotë se individë të caktuar në Bashkimin Evropian kanë pasur tendencë që mos të marrin masa ndëshkuese ndaj Serbisë, pavarësisht organizimit të sulmeve terroriste në Kosovë si dhe krijimit të vazhdueshëm të tensioneve në veri.

Kryeziu-Hyseni: BE të merr masa ndaj Serbisë

“Sikur ka ekzistuar një tendencë që Serbia mos të preket shumë prej veprimeve konkrete që bashkësia evropiane do të mundte t’i ndërmerrte në këtë rast. Megjithatë, ne insistojmë se kurdo që të kemi një verdikt përfundimtarë bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë, në këtë kundërtën ata po krijojmë hapësirën një shteti që organizon sulme terroriste që të bëjë edhe në vazhdim”, tha Kryeziu-Hyseni.

Sipas saj, shkak të tolerancës së BE-së, Vuçiq ka shtuar dozën e kërcënimeve ndaj Kosovës.

Kryeziu-Hyseni: BE po e toleron Vuçiq

“Uroj që pas këtyre deklaratave BE-ja të ketë një qasje tjetër. Unë pres që pas këtyre veprimeve, aleatët perëndimor të veprojnë, pasi në rast se kjo ndodh në një masë të madhe është dështim i bashkësisë evropiane që ka toleruar në vazhdimësi Serbinë karshi qasjes që ka pasur ndaj Kosovës në raport me këto deklarata që kanë qenë të vazhdueshme. Këto s’janë deklarata të reja, s’janë diçka që po e dëgjojmë sot, mirëpo arsyeja që kemi ardhur deri këtu është se s’ka pasur prerje të saktë të BE-së me Serbinë. Serbia është toleruar dhe prandaj po tenton të krijojë eskalime në Kosovë edhe në vazhdim”, tha ajo.

Deputetja e LVV-së konsideron se kërcënimet ndaj Kosovës po bëhen për shkak se Vuçiq ka humbur kontrollin në veri dhe se institucionet kanë shtrirë sovranitetin dhe ligjshmërinë në atë pjesë.

Kryeziu-Hyseni: Kërcënimet e Vuçiq janë për shkak të shtrirjes së sovranitetit në veri

“Eskalimi nga ana e Serbisë vjen për shkak të shtrirjes së sovranitetit të Kosovës në pjesën veriore, kjo që ka munguar për gjatë gjithë kohës. S’kemi pasur sovranitet më të madhe atje dhe s’ka pasur prezencë të institucioneve tona më shumë sesa ka sot. Pafuqia për të kontrolluar veriun dhe për të pasur strukturat ilegale në veri po shkakton këto tensione të cilat nuk do të duheshin të toleroheshin nga BE-ja”, deklaron Kryeziu-Hyseni.

Duke folur për hapjen e urës së Ibrit, ajo thotë se ende ekziston gatishmëria e qeverisë për të ndërmarrë një veprim të tillë, por për shkak të specifikave kjo çështje duhet të diskutohet edhe në nivelin e institucioneve të sigurisë.

Kryeziu-Hyseni: Jemi në të drejtën tonë për hapjen e urës së Ibrit

“(Hapja e urës së Ibrit) Kjo është një çështje që duhet të diskutohet në nivelin e institucioneve përgjegjëse të sigurisë, të cilat e kanë për obligim nëse ekziston gatishmëria për të bërë një veprim të tillë. Ne kemi thënë se bëhet një veprim i tillë dhe se jemi në të drejtën tonë.... Sa i përket çështjes së Urës ne kemi ndarë të gjitha informacionet me organet përgjegjëse dhe gatishmërinë për t’u hapur ajo. Ndërkohë kemi një marrëveshje që derivon nga procesi i dialogut dhe që është ezauar dhe që thotë se ura duhet të hapet”, tha Kryeziu-Hyseni.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar se do të marrë “masa serioze” ndaj Kosovës, ku sot në një konferencë për medie pritet t’i shpalosë të njëjtat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat