Deputeti nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje Haxhi Avdyli, ka komentuar konferencën e djeshme të presidentit serb Aleksandar Vuçiq mbi Kosovën.
Ai ka thënë se vajtimet e presidentit serb e kanë vetëm një kërkesë, që veriu i Kosovës të kthehet para vitit 2021, përcjell Bota sot.
Por, deputeti është zotuar se “rrugën e nisur për bërjen e Kosovës shtet unik e ligjor” s’do ta ndalin “para asnjë kërcënimi dhe veprimi”.
Reagimi i plotë i Avdylit në Facebook:
"Polli miu, ushtoi mali".
Vajtimet e Vuçiqit e kanë vetëm një kërkesë që veriu të kthehet para vitit 2021.
Vetë i detyroi Serbët e veriut të largohen nga institucionet tona si policia, gjykatat, administrata, komunat, tash i penduar po kërkon të rikthehet koha.
Por, makina për rikthim në kohë nuk ekziston.
Ai mund të shpresoi që eventualisht populli i Kosovës të gaboi në shkurt 2025 e ti rikthei në pushtet politikanët kosovarë që bashkëqeverisnin me të.
E ndoshta ku i dihet edhe ata mund ta kthejnë bashkim vëllazërimin kriminal në veri.
Por Kosova unike me qytetarë të barabartë para ligjit, sdo ketë kthim prapa. Le ta harrojnë ata në Serbi por edhe dikush këtu brenda Kosovës që guxon të nëpërkëmb shtetin e lirinë tonë të fituar me gjak.
E një prej vendimeve të dëshpruara që paska marrë Serbia qenka që përveç bankave, edhe institucionet tjera paralele për serbët po i bartka në Serbi diku afër Kosovës.
Mashtrimi e iluzionet për qytetarë serbë të Kosovës tash po spostohen brenda territorit të Serbisë.
Po vërtetohet se Serbia, si tentakulë Ruse, paraqet burim i destabilizimit në Ballkan, me pretendime të pashuara territoriale për fqinjët.
Sa më herët që e kuptohet ky fakt nga të gjithë brenda e jashtë, paqja dhe perspektiva e rajonit tonë do merrte dimensione te reja zhvillimi.
Kurse në rrugën e nisur për bërjen e Kosovës shtet unik e ligjor s’do e ndalim para asnjë kërcënimi dhe veprimi.