Lahi Brahimaj nga AAK ka deklaruar se shtatë deputet të LVV-së janë të gatshëm me iu bashkangjitur partive opozitare në LDK, PDK dhe AAK.
Brahimaj ka shtuar se VV-ja nuk ka numra të mjaftueshëm për ta bërë Qeverinë e vetme.
“Në qoftë se LVV-ja siguron numrin e mjaftueshëm për të formuar Qeverinë e Kosovës, ne mendojmë që ai nuk ka numra të mjaftueshëm për të bërë qeverinë e vetme vetëm nëse e bënë me Listën Serbe…. Po përflitet që VV-ja mund të përshkojë disa deputetë të partive opozitare, kam informata që afër shtatë deputet të VV-së janë të gatshëm me iu bashkangjitur opozitës, disa në LDK, PDK dhe AAK”, ka deklaruar Brahimaj në emisionin “Ditari”.
Profesori nga Amerika, Binak Maxharraj, ka reaguar ndaj Brahimajt duke thënë se ka filluar loja e manipulimit me deputetë ende pa u ulë në karrigen e deputetit.
“Ende pa u ulur në karrigen e deputetit filloi loja e manipulimit me deputet. Ende pa u certifikuar kandidatët për deputetë ka nisur loja e injorimit të tyre. Kështu paska deklaruar Lahi Brahimaj se së shpejti janë të gatshëm që shtatë deputetë nga LVV t’i bashkohen opozitës. Pra, po ndodhka ikja e dytë më e madhe pas asaj të parës, kur u larguan nga LVV dhe tani pas pesë viteve po bredhin rrugëve si pula pa krye. A mos ka menduar Brahimaj se këta shtatë deputetë do të shpërndahen nëpër parti të opozitës apo të shtatit do t’i bashkohen AAK-së. Ndoshta këtë e ka lënë ta sqarojë më vonë. Është herët, shumë herët të nis manipulimi se cili deputet po e tradhton partinë e vet”, ka shkruar Maxharraj.