Krasniqi i bindur: Vitin e ardhshëm do të kemi zgjedhje të reja

Aktuale

Krasniqi i bindur: Vitin e ardhshëm do të kemi zgjedhje të reja

Më: 4 prill 2025 Në ora: 00:07
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është shprehur i sigurt se vitin e ardhshëm do të ballafaqohem me zgjedhje të reja nacionale.

Këtë paralajmërim, kreu i PDK-së, ende pa u konstituar legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës, e ka lidhur me siç thotë ai me mungesën e 80 votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, pasi mandati Vjosa Osmanit përfundon në prill të 2026-ës.

“Krejt po e dimë që vitin e ardhshëm kemi me u ballafaqu me zgjedhje. Mundësia për zgjedhje është 99%. S’ka kush i bën 80 vota me zgjedh president të ri. Në rastin e Atifete Jahjagës ka qenë situatë krejt tjetër, nuk është e krahasueshme, atëherë ka pas koalicion tjetër. Ka të tillë që na thonë ‘pse s’po e leni bre Albin Kurtin, le ta bëjë qeverinë, punë e madhe, le të rrinë, s’mundet me ba kurgja presione, opozita e fortë, ai është i dobët mundeni me rrëzu’”.

“Ky është mendim taktik, politik që e vendos interesin partiak si prioritet. Na në PDK nuk mujm me mendu kështu. Për mua interesi i Kosovës është më i madh edhe jam i gatshëm me Bedri Hamzën kryeministër me marrë përgjegjësinë”, tha Krasniqi, në Rubikon të Klan Kosova.

Ai ka deklaruar se është takuar dy herë me homologun e tij nga LDK-ja, Lumir Abdixhikun.

Krasniqi  tha se mund të ketë edhe takime tjera me të, në funksion të diskutimit për qeverinë e opozitës.

“Me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, jemi takuar dy herë. Jam takuar edhe unë edhe zotëri Hamza, si mandatar, dhe besoj se do të ketë edhe takime tjera”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat