​Berisha: Hakerët rusë po përgatisin sulme të reja ndaj Kosovës

Aktuale

​Berisha: Hakerët rusë po përgatisin sulme të reja ndaj Kosovës

Më: 10 prill 2025 Në ora: 17:07
Halil Berisha

Grupe hakerësh me origjinë ruse, por që dyshohet edhe me përkrahje të shtetit rus, kanë sulmuar ueb-faqet e shumë institucioneve të Kosovës, duke nisur nga ajo e kryeministrisë, ministrive, aeroportit, por edhe organizatave të ndryshme.

Kjo është bërë e ditur nga eksperti i kibernetikës Halil Berisha në një postim në Facebook.

Ai ka thënë se e gjitha kjo bëhet për shkak të mbështetjes së Kosovës për Ukrainën në luftën e saj ndaj agresionit ushtarak rus.

“Shumica e ueb-faqeve të sulmuara tash janë rikthyer dhe funksionojnë pa problem. Sipas të gjitha shenjave, sulmi është DDoS dhe të dhënat janë të sigurta. Ky sulm çon vizita në numër aq të madh njëkohësisht sa që ueb-faqet nuk mund t’i përballojnë”, ka shkruar ai.

Institucionet e Kosovës kanë reaguar në mënyrë shumë të shpejtë dhe kanë mbrojtur infrastrukturën ndaj sulmeve ruse.

Berisha thotë se Kosova ka kapacitete njerëzore që duhet të merren seriozisht në këtë punë.

“Reagimi ndaj sulmeve (ani se ka ende faqe që janë offline) ka qenë i shpejtë për t’u mbrojtur, mirëpo në aspektin e parandalimit të këtyre sulmeve nevojitet punë edhe më e madhe. Këto sulme duhet të japin informatat e nevojshme për këtë punë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, grupet ruse janë duke u përgatitur për një valë të re sulmesh, ku mund të përfshihen edhe kompanitë.

“Kështu që për mbrojtje duhet të fillohen përgatitjet nga secili institucion, agjenci, kompani e organizatë”, porosit Berisha.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat