Familja e veprimtarit të vrarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës Haki Imeri, ka dalë me një shkrim në Facebook, lidhur me listat e veteranëve të luftës.
Kjo familje tha se ky është një problem shumë i madh, që përfshinë “shumë aktorë të teatrit kombëtar të luftës”.
Në këtë pikë, u ngrit pikëpyetje se “Pse Prokuroria e Kosovës nuk guxon të çmontojë këtë rrjet të organizuar kriminal që zhvat shtetin??!!”
“Si është e mundur që prej rreth 10 mijë luftëtarësh gjatë luftës, në listat e pasluftës dolën mbi 50 mijë “veteranë”?
-A nuk është kjo dëshmi e një rrjeti të organizuar kriminal?
-Një rrjet që e zhvat Kosovën çdo ditë”, shkroi ndër të tjera familja Imeri, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Miq,
-Aristoteli thotë: “Të thuash që ajo që është, është, dhe që ajo që nuk është, nuk është – kjo është e vërteta.”
-Rron Gjinovci ka një “të metë”: kërkon të vërtetën.
-Dhe kjo është problem për shumë aktorë të teatrit kombëtar të luftës – sezoni i pasluftës.
-Këta, sipas nevojës, herë janë Skënderbe, herë nënkryetar bordesh të rrymave, herë në rresht të parë në përkujtimore, e herë i gjen nën hijen e ndonjë tenderi të dyshimtë.
-Disa prej tyre janë bërë mjeshtër të një zanati të veçantë: shpikjes së narrativave nga “arkivat”.
-Jo arkivat e shtetit, por arkiva emocionale.
Ato hapen vetëm kur trysnia i kap për fyti.
-Sot tregojnë një version të luftës.
-Nesër një tjetër.
-Pasnesër kthehen tek ai i djeshmi, por me dy fjalë të ndërruara – për shije.
-Dikur flisnin me krenari për gjëra që sot i mohojnë me turp.
-Nesër i kthehen sërish, si heronj epikë që kanë mbijetuar 14 beteja dhe 17 emisione televizive.
-Gjithmonë i njëjti hero: pak i lodhur nga intervistat, por me uniformën e paprekur.
-Dhe lind pyetja: sa herë është larë ajo në lavatriçen e propagandës?
-E ndërkohë, historia e vërtetë mbetet nën tavolinë.
-E shkelur nga këpucët e lustrume të veteranëve sezonalë.
-Historia që duhet të shkruhet me standarde, fakte, dokumente e statistika, nuk ka vend në kafenetë ku janë planifikuar luftërat pas luftës.
-Dhe s’e kemi harruar pyetjen më të thjeshtë, por më të rëndësishmen:
-Si është e mundur që prej rreth 10 mijë luftëtarësh gjatë luftës, në listat e pasluftës dolën mbi 50 mijë “veteranë”?
-A nuk është kjo dëshmi e një rrjeti të organizuar kriminal?
-Një rrjet që e zhvat Kosovën çdo ditë.
-Që e vendos nën hije të vërtetën historike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
-Dhe që mban peng veteranin dhe luftëtarin e vërtetë.
-Pse Prokuroria e Kosovës nuk guxon të çmontojë këtë rrjet të organizuar kriminal që zhvat shtetin??!!