Deputeti i zgjedhur nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë Nenad Rashiq tha se partia me më së shumti vota apo ulëse në Kuvend duhet të jetë bartëse e përgjegjësisë qoftë në kuvend, apo në qeveri.
Ai beson se partia me më së shumti vota do të mund ta zgjedh kryetarin e Kuvendit.
Rashiq: Është normale që të jetë inicuese e bartësit të përgjegjësisë
"E kam thënë edhe më herët nuk kam çka tjetër për të shtuar, kam thënë se kam biseduar me kryeministrin dy herë dhe sa i përket meje dhe partisë politike që e përfaqësoj ritheksoi se është një gjë më normale që partia politike shqiptare e cila me më së shumti vota ose më së shumti ulëse është normale që të jetë inicuese e bartësit të përgjegjësisë qoftë në parlament, qoftë ne qeveri. Çdo herë duhet të mendojmë për konstituimin e manzhurancës duhet të kemi në mend se një parti politike shqiptare ka 48 deputetë ose pothuajse gjysmën e deputetëve të shqiptar mazhoranca... Kësaj partie i duhen 61 deputetë për ta zgjedhur kryetarin e kuvendit? Po baza është 48. E bënë? Po", ka thënë Rashiq.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari i LVV-së ftoi për konsultim përfaqësuesit e subjekteve politike, për mënyrën se si të procedohet tutje.
Sipas tij, konsultimet janë të nevojshme në mënyrë që “ të mos bëjmë shkelje ligjore dhe kushtetuese”.
Ai tha se presidentja Vjosa Osmani nuk ofroi zgjidhje përfundimtare. Dehari tha se Osmani kërkoi që partitë të gjejnë vullnet për ta zhbllokuar situatën.
Deputetët e zgjedhur u mblodhën sot më 17 prill në një tentim të dytë për konstituimin e Kuvendit.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i dërgoi letër presidentes më 16 prill përmes së cilës i kërkoi sugjerime për veprime tutje.
Presidentja kujtoi rregulloren e Kuvendit dhe tha se seanca duhet të vazhdojë brenda 48 orësh.
Konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugë votimit të kryeparlamentarit e më pas qeverisë së re.
Deri më tash, LVV-ja si parti fituese nuk e ka bërë të ditur emrin që do ta propozojë për kryetar të Kuvendit dhe as nëse i ka numrat për ta votuar atë.