Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se deputetët e grupit multietnik do ta votojnë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare.
Deputeti nga komuniteti egjiptian u pyet edhe sa i përket mesazheve të publikuara lidhur me 4 vota nga Lista Serbe për qeverinë, për çka tha se “nuk janë të interesuar në asnjë koalicion ku është edhe Lista Serbe”.
Krasniqi: LVV e as ne nuk jemi të interesuar të jemi në asnjë koalicion ku janë edhe Lista Serbe
“A e ke lexu mesazhin, lexoje mesazhin, qëllimi ka qenë dhe mund të jetë prapë që ata dëshirojnë të jenë pjesë me votën e tyre në ndonjë proces në mënyrë që të krijohet ideja që ka ndonjë koalicion. Është shumë e qartë që as Lëvizja Vetëvendosje, por as ne si grup multietnik nuk jemi të interesuar të jemi në asnjë koalicion ku janë edhe Lista Serbe për shkak se është lista të cilës i prin Radoiçiqi, këtu, atëherë tash dhe nesër”, përfundoi ai.
Para fillimit të seancës, ai para mediave tha se propozimi i takon Lëvizjes Vetëvendosje dhe se si partnerë koalicioni e përkrahin propozimin.
Krasniqi: Jemi pro propozimit të LVV-së për kryeparlamentar
“Ne si partnerët e koalicionit jemi pro të gjithë, shtatë nga deputetet tanë të grupit multietnik që ta votojmë kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Të tjerat nuk janë punë e jona. Propozimi i takon Lëvizjes Vetëvendosje, e ka bërë propozimin e saj dhe ne të tjerët si partnerët e koalicionit jemi në rregull me propozimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit dhe do ta votojmë”, u shpreh ai.