Nuk ka “dritë” për zgjidhje të krizës/ Dështon për herë të 12-të konstituimi i Kuvendit

Aktuale

Nuk ka “dritë” për zgjidhje të krizës/ Dështon për herë të 12-të konstituimi i Kuvendit

Më: 7 maj 2025 Në ora: 06:38 Përditësuar në ora: 11:20 më 07.05.2025
Kuvendi i Kosovës

Haxhiu: Votimi i fshehtë është demokratik

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se nuk e kupton pse disa parti parlamentare nuk e pranojnë votimin e fshehtë për emërimin e saj.

“Për mua është i paqartë qëndrimi i tyre për të mos marrë pjesë në votim për komisionin për votimin e kryetarit në mënyrë të fshehtë. Votimi i fshehtë është shumë demokratik për shumë pozita në Kosovë”, tha Haxhiu.

Lidhja Demokratike, Partia Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Lista Serbe nuk morën pjesë fare në votim për një komision që do ta kishte mbikëqyrur votimin e fshehtë për kryeparlamentar.

Në lidhje me propozimin e liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për qeveri tranzitore me të gjitha partitë parlamentare, Haxhiu tha se është e “papranueshme të injorohet vullneti i qytetarëve”.

Murati: Propozimi i LDK-së nuk është serioz, s’kemi nevojë për qeveri tranzitore

Hekuran Murati, nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), tha se propozimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për qeveri tranzitore gjithëpërfshirëse “nuk është serioz” dhe se nuk është opsion për Kosovën tani.

“Në rastet kur ka luftë civile dhe vendi del nga lufta dhe nuk ka institucione, pra në raste të tilla kur ka kriza të papara, vendi mbetet mbetet pa qeveri dhe bëhet qeveri tranzitore. Kjo do të na kthente në vitin 2000”, tha Murati.

Ai tha se kjo do të ishte një mesazh i keq për gjendjen në Kosovë te bashkësia ndërkombëtare.

“Rezultati zgjedhor tashmë e ka përcaktuar se kush është fituesi dhe kush duhet të udhëheqë qeverinë. Nëse nuk arrihet kjo në Kuvend, ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje”, shtoi ai.

Por, Murati tha se LVV-ja nuk dëshiron që zgjedhjet e jashtëzakonshme të jenë opsion i parë, por opsion i fundit.

“Vendi ka qeveri dhe po pret për një qeveri të re, për t’ia dorëzuar mandatit”, tha Murati, duke shtuar se opsioni më i mirë, sipas tij, për zgjidhjen e situatës do të ishte konstituimi i Kuvendit të Kosovës përmes votimit të fshehtë.

Haradinaj: Mbetem për qeveri të opozitës

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se s’sheh asgjë të keqe në ftesën e LDK-së për takim për konsulta për qeveri, por tha se ai nuk ndryshon qëndrim për një qeveri të udhëhequr nga opozita.

Ai tha se takohet me LDK-në e PDK-në, por s’pranon të ulet në një tavolinë është Vetëvendosja.

“Dje e kam parë qëndrimin e LDK-së. Ajo çka mund të them e mirëpres mundësinë e konsultave, cila formulë, cili opsion, tani qëndrimet ndryshojnë. Unë angazhohem për qeveri të opozitës. Vazhdoj me mbet në këtë qëndrim, ndërsa jam i hapur për konsulta me partitë parlamentare të opozitës”.

“Ftesa për konsultë nuk ka diçka të keqe. Unë konsultohem bilateral, AAK-LDK, trilateral e PDK-në, nuk e shoh të keqe një ftesë për konsultë për qeveri. Unë personalisht angazhohem për një qeveri të opozitës, por s’na pengon propozimi i LDK-së për konsulta për opsionin qeverisës në të ardhmen”.

A merr pjesë në një takim ku në tavolinë është Vetëvendosja?”, u pyet Haradinaj.

“Jo”, tha shkurt ai“.

Zemaj tallet, pyet nëse janë nxehur edhe sot deputetët e partive të tjera

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, është tallur duke bërë pyetje nëse janë nxehur edhe sot deputetët e partive të tjera.

Pak para fillimit të seancës konstituive, Zemaj ka thënë se në mëngjes të gjitha partitë po i vërsulen LDK-së.

Por, pastaj pasdite po qetësohen.

“A ishin nxeh hiç këta të partive të tjera, se në mëngjes bajnë turr mas LDK-së, masdite flladiten”, ka thënë Zemaj.

Përpjekja e 12-të për konstituimin e Kuvendit

Derisa deputetët po mblidhen për t’i vazhduar përpjekjet për konstituimin e Kuvendit, nuk ka asnjë sinjal se ata do t’ia dalin kësaj radhe.

Deklarohet sërish Peci: Kurtit i takon t’i thërrasë partitë politike, jo LDK-së

Kryetari i partisë Guxo, Faton Peci tha se kryetarit të LVV-së, Albin Kurti i takon t’i thërrasë partitë politike për të diskutuar për kirjimin e institucioneve të reja dhe se këtë sipas tij nuk mund ta bëjë LDK-ja.

Para se të hynte në Kuvend për vazhdimin e seancës konstituive, Peci tha se “i pari që i takon me i thirre partitë politike, është në këtë rast Albin Kurti”, duke komentuar propozimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku për krijimin e një qeverie tranzicionale deri në zgjedhjen e presidentit, me pjesëmarrjen e të gjitha partive.

Ai tha se duhet pritur “derisa të ezaurohet mundësia që të kemi Qeveri Kurti 3”.

“Nëse kjo nuk bëhet e mundshme, unë mendoj që logjika politike dhe institucionale e thotë që potencialisht një ftesë të tillë mundet në një të ardhme ta bëjë Bedri Hamza, por jo partia e tretë, e katërt, e pestë e kështu me radhë”, tha Peci.

Sipas tij, kjo është “rjedha logjike”.

“Sa i përket qeverisë tranzicionale, unë mendoj që Kosova ka nevojë për qeveri stabile”, tha ai.

Bekë Berisha: Nuk ka nevojë Abdixhiku me më thirr për qeveri me Kurtin

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka dalur kundër thirrjes së Abdixhikut për qeveri të unitetit.

“Të përbashkët po thotë edhe me VV?

Unë mendoj që Albin Kurti dhe Abdixhiku janë dy anët e të njëjtës medalje, ky po na fton neve, unë nuk po guxoj me shku veç vet me nda fajin e Asociacionit, e po thotë hajde bahemi bashkë tanë, e marrim fajin krejt kapak. Unë nuk du me marrë faj.

Nuk ka nevojë Abdixhiku me më thirr në qeveri të përbashkët me Albin Kurtin, unë me dashtë e bëj vet”, tha ai.

Pse ka ngecur formimi i institucioneve edhe tre muaj pas zgjedhjeve?

Janë bërë pothuajse tre muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit dhe Kosova ende nuk i ka formuar institucionet e reja.

Asnjë parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme. Lëvizja Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme ta formuar qeverinë e re e vetme.

Procesi ka ngecur në konstituimin e Kuvendit, më saktësisht emërimin e kryetarit të Kuvendit. Seanca konstituive nisi më 15 prill dhe prej atëherë ka vazhduar 11 herë çdo të dytën ditë pas ndërprerjes.

Vetëvendosje ka dështuar në disa raste ta emërojë Albulena Haxhiun si kryeparlamentare, pasi ajo ka marrë më së shumti 57 vota, 4 më pak se minimumi i nevojshëm për t’u zgjedhur.

Së voni, kryesuesi i seancës konstituive që vjen nga Vetëvendosje, ka kërkuar votim të fshehtë, por edhe ky propozim ka dështuar t’i marrë votat e nevojshme.

Haxhiu shihet nga disa parti parlamentare si "figurë përçarëse", por Vetëvendosje ngul këmbë se ajo është kandidate meritore dhe nuk do të propozojë kandidat tjetër, pavarësisht thirrjeve nga partitë e tjera për një kandidat “më unifikues”.

Ende asnjë marrëveshje për konstituimin e Kuvendit

Derisa deputetët po mblidhen për t’i vazhduar përpjekjet për konstituimin e Kuvendit, nuk ka asnjë sinjal se ata do t’ia dalin kësaj radhe.

Pavarësisht disa lëvizjeve së voni për ta zhbllokuar ngërçin, nuk ka asnjë marrëveshje mes partive parlamentare.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila doli e treta duke i fituar 20 ulëse në zgjedhje, e ka hedhur poshtë ofertën e partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) për koalicion qeverisës.

Në vend të kësaj, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar formimin e një qeverie kalimtare mes partive parlamentare deri në emërimin e presidentit të vendit, pra në prillin e vitit 2026, kur presidentes së tanishme Vjosa Osmani i mbaron mandati.

Pjesëtarë të LVV-së nuk e kanë mirëpritur këtë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat