Kosova ende pa Kuvend të ri, pas dështimit më të fundit për konstituimin e tij
Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend funksional, pasi deputetët kanë dështuar sërish – në përpjekjen e tyre të trembëdhjetë – ta konstituojnë Kuvendin e ri.
Dështimi më i fundit ndodhi të premten, pikërisht tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.
Sikurse në seancat e ditëve të kaluara, edhe të premten kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, kërkoi sërish formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.
Propozimi nuk i mori votat e mjaftueshme dhe seanca u ndërpre për të vazhduar pas dy ditëve, të dielën në mëngjes.
Dështimet e njëpasnjëshme për ta konstituuar Kuvendin e ri e kanë thelluar ngërçin politik të vendit, duke ngritur shqetësime për paralizë institucionale dhe shihen si test për pjekurinë shtetërore të Kosovës.
Asnjë parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme. Lëvizja Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme ta formuar qeverinë e re e vetme.
Haradinaj për seancën: Nëse do të jetë vetëm përsëritje, kontributi im do të jetë i pavlefshëm
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur para seancës së sotme në tentativë për konstitumin e parlamentit.
“Do të marrë pjesë në seancë, nëse do të jetë vetëm përsëritje, kontributi im do të jetë i pavlefshëm”.
Faton Peci: Albulena Haxhiu nuk është problem, LDK dje e tha se nuk votojmë kandidat të VV-së
Deputeti i VV-së Faton Peci para vazhdimit të seancës konstituive ka thënë se Albulen Haxhiu nuk është problemi për moskonstituimin e Kuvendit.
Sipas tij LDK ka deklaruar se nuk do ta votojnë asnjë kandidat të propozuar nga VV-ja.
“Çdo ditë vijmë me shpresë që dhe partitë tjera opozitare do të reflektojnë që Kosova të ketë institucione në radhë të parë, duke konstituuar Kuvendin. Ne do të vahdojmë të bëjmë përpjekje për këtë. Sa i përket emrit për kryeparlamentar, mendoj që mbrëmë e kam pa një deklaratë të zonjës Hykmete Bajrami, që deklaroi që për asnjë emër të VV nuk votojnë.
Rrjedhimisht e gjithë kjo zhurmë që me indentifiku që Haxhiu është problemi, nuk është“, tha ai.
Murati i VV-së: Seanca vazhdon ku ka mbetur, me votimin e komisionit për votim të fshehtë
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pak para vazhdimit të 13-të të seancës konstituive të Kuvemndit të Kosovës tha se seanca do të vazhdojë aty ku ka mbetur, me votimin e Komisionit për votim të fshehtë.
“Shpresoj dhe uroj si zakonisht që opozita të ketë reflektuar që të zhbllokohet procesi dhe të ecim përpara në zhbllokimin e institucioneve. Ne kemi bërë çmos që ky proces që nga fillimi i seancës konstituive të ofrojë mundësi dhe ide për zgjidhje që të dalim nga ky ngërç, por e kemi parë që reflektimi ka munguar.
Tani ka një bllokadë dhe barrikadim te opozita dhe insiston që të ndryshohet kandidati. Pra, që të mos respektohet e drejta kushtetuese e VV-së, në këtë rast si pari fituese e zgjedhjeve. Seanca do të vazhdoj aty ku ka mbetur, aty ku kemi mbetur është mungesa e kuorumit për vendimmarrje për të votuar Komisionin për votim të fshehtë.
Është e pamundur që të dilet apo të ndryshohet nga kjo rrjedhë, sepse jemi në një situatë, ku herën e fundit sikur se dy apo tri herët më parë ka mungesë të kuorumit që po duhet të ndërpritet seanca, për shkak të kourumit”, tha Murati.
Vazhdon seanca në përpjekjen e 13-të për konstituimin e Kuvendit
Kuvendi i Kosovës mblidhet sot sërish për seancën e13-të me radhë që zhvillohet në përpjekje për ta konstituar Kuvendin e Kosovës.
Kjo seancë do mbahet nga ora 10:00, saktësisht 48 orë pas asaj të 7 majit.
Të mërkurën, u regjistrua dështimi i 12-të me radhë i deputetëve për ta bërë një gjë të tillë.
Komisioni për votim të fshehtë për kryeparlamentarin nuk kaloi as para dy dite, pasi 56 deputetë votuan për, një kundër dhe nuk pati asnjë abstenim.