Gazetari Gëzim Mekuli ka reaguar me tone të forta ndaj vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trandafilova, në Prishtinë, si dhe ndaj protestës së veteranëve të UÇK-së. Në një koment të publikuar në rrjete sociale, ai e ka quajtur këtë situatë një farsë të dhimbshme që vjen si rezultat i veprimeve të vonuara dhe heshtjes së kaluar.
“Para se Trandafilova të zbarkonte në Prishtinë, rruga e saj duhej të kalonte përmes Beogradit, epiqendrës së arkitektëve të krimeve në Kosovë. Ajo zgjodhi të niset nga pasojat, jo nga shkaktarët. Faqja e zezë,” ka shkruar Mekuli.
Duke u ndalur te protesta e veteranëve, ai ka kritikuar qëndrimin e tyre pasiv në kohën kur po themelohej Gjykata Speciale, duke e cilësuar reagimin aktual si “vonim moral”.
“Tani protestat duken si zjarr i fikur që tymon vetëm kur e rreh era. Dhe kjo erë, fatkeqësisht, nuk po vjen nga drejtësia, por nga ndjenja e braktisjes,” shkruan ai.
Shkrimi i plotë:
2 veprime, dy vonime, dy dëmtime!
E para:
Para se Trandafilova të zbarkonte në Prishtinë, rruga e saj duhej të kalonte përmes Beogradit, epiqendrës së arkitektëve të krimeve në Kosovë. Aty janë urdhërdhënësit, jo në Kosovë, jo në Prishtinë. Faqja e zezë, ajo zgjodhi të niset nga pasojat, jo nga shkaktarët.
E dyta:
Në anën tjetër, veteranët e UÇK-së sot po protestojnë me vonesë, kur gjithçka është në valixhe e dosje. Ku ishin këta veteranë kur po themelohej kjo Gjykatë një etnike? Buzëqeshje, zgërdhirje, birra e selfie?
Kur VV dilte në rrugë kundër kësaj gjykate, shumë prej këtyre "beteranëve" rrinin në rresht me ata që i quajtën "heronj" e më pas i lanë n'lloq.
Tani, protestat duken si vonesë morale. Si zjarr i fikur që tymon vetëm kur e rreh era. Dhe kjo erë, fatkeqësisht, nuk po vjen nga drejtësia, por nga ndjenja e braktisjes.
Vonë është me bë zë kur dikur ke nënshkruar me heshtje.
Të jesh Veteran e jo Beteran, këtu është çështja!