Mesazhe nga BE: Çfarë tha Costa pas takimeve me Osmanin e Kurtin

Aktuale

Mesazhe nga BE: Çfarë tha Costa pas takimeve me Osmanin e Kurtin

Më: 14 maj 2025 Në ora: 07:38 Përditësuar në ora: 21:28 më 14.05.2025
Foto nga takimi

Kurti në takim me Costa shpreh përkushtimin e Kosovës për aderim në BE

Kryeministri në detyrë Albin Kurti gjatë një takimi me presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa, ka kërkuar nga ky i fundit një rol më aktiv për statusin të vendit kandidat, duke përkujtuar se kanë kaluar gati dy vjet e gjysmë që nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kurti tha se Kosova është plotësisht të përkushtuar për t'u bërë vend anëtar i Bashkimit Evropian, duke përkujtuar progresin e arritur në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon, si dhe është vendi i parë që ka dorëzuar në kohë agjendën e reformave të Planit të Rritjes.

“Kosova ka bërë progres në plotësimin e reformave, siç dëshmohet në raportet e Progresit të Bashkimit Evropian”, tha Kurti.

Ai gjithashtu, kërkoi heqjen e plotë dhe të menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Gjatë diskutimit u bisedua edhe mbi sigurinë rajonale ku kryeministri në detyrë përmendi kërcënimet për rajonin që vijnë nga Serbia dhe lidhjet e saj të vazhdueshme me Rusinë, si dhe kërkoi që autori i sulmit terrorist në Banjska, Milan Radoiçiq, t’iu dorëzohet institucioneve të drejtësisë së Kosovës.

Në takim, Kurti gjithashtu ngriti shqetësimin për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilët janë të nën-përfaqësuar në institucionet publike, diskriminohen në punësim dhe të drejtat e tyre shpërfillen në mënyrë të vazhdueshme nga Beogradi.

Antonio Costa po qëndron për vizitë njëditore në Kosovë si pjesë e një turneu nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor, për herë të parë pas marrjes së detyrës. Ai gjatë vizitës në vendin tonë është takuar edhe me të parën e shtetit Vjosa Osmani. Zyrtari i lartë evropian do të vazhdojë turneun e vizitës në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri.

Presidenti i Këshillit Evropian viziton Kosovën për herë të parë pas marrjes së detyrës

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka qëndruar sot për vizitë në Prishtinë në kuadër të turneut të tij nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në vizitën e tij të parë pas marrjes së detyrës, zyrtari i lartë evropian është takuar me presidenten Vjosa Osmani.

Osmani në konferencën e përbashkët për media me presidentin Costa theksoi se tani është koha të ndërmerren hapa konkretë për integrimin e Kosovës në BE, heqjen e masave ndëshkuese, teksa përmendi edhe nevojën që aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat të shqyrtohet sa më parë.

Osmani: Kosovës t’i largohen masat ndëshkuese

“Është koha që kjo të reflektohet përtej fjalëve dhe me hapa konkretë drejt integrimit të shtetit tonë në BE. Presim që në udhëheqjen tuaj të bëjmë këto hapa përpara dhe Kosovës t’i hapet rruga drejt BE-së. Në mënyrë që kjo të ndodhë, shpresojmë që shtetet anëtare të pajtohen që të hiqen masat e padrejta ndaj Kosovës, të cilat po dëmtojnë qytetarët, interesat dhe projektet që lidhen me vetë integrimin në BE. Këtë verë bëhen dy vjet prej kur janë vendosur masat dhe çdo minutë më shumë me masat në fuqi është një minutë më shumë padrejtësie dhe larg jetësimit të ëndrrës evropiane të qytetarëve tanë, si dhe një vonesë më shumë e projektit të zgjerimit të bazuar në merita. Po ashtu, është koha përfundimtare që të trajtohet aplikimi ynë për anëtarësim, i dorëzuar që në dhjetor të vitit 2022. Ky dokument të mos mbetet një dokument i arkivuar dhe shpresojmë që ky aplikim të trajtohet me prioritet”, tha ajo.

Largimin e masave ndëshkuese e përmendi edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Costa: Masat ndërlidhen me nevojën për de-eskalim të situatës në veri

“Masat ndërlidhen me nevojën për të de-eskaluar tensionet në rajon dhe në veri. Ajo që unë dëshiroj është që sa më shpejt të kemi de-eskalim dhe të ecim përpara për t’i larguar masat. Shpresoj që ngjarjet e fundit nuk paraqesin një trend të ri, por janë një përjashtim nga rregulli, duke qenë se jeni të përfshirë dhe të angazhuar plotësisht në këtë rrugëtim evropian”, tha ai.

Në lidhje me këtë, presidentja Osmani tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për de-eskalim të situatës në veri, përfshirë edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale.

Osmani: Kosova ka përmbushur kërkesat e BE-së për de-eskalim të situatës në veri

“Të tri këto kërkesa të BE-së, që kanë qenë të përfshira në marrëveshjen e Bratislavës, janë plotësuar nga Kosova që një kohë të gjatë. Kjo është arsyeja pse ish-përfaqësuesi i lartë Borrell ka rekomanduar në verën e vitit të kaluar që masat të hiqen në tërësi. Ky ka qenë rekomandimi i Borrell dhe së shpejti bëhet një vit që ai ka konstatuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e vendosura. Ne e kuptojmë se konsensusi në BE është kompleks, dhe ne si Kosovë duhet të angazhohemi që të punojmë me secilin shtet veç e veç, në mënyrë që të mos ketë hezitim”, tha ajo.

Nga ana tjetër, presidenti Costa kërkoi përparim të prekshëm në zbatimin e obligimeve në dialogun Kosovë-Serbi si një element kyç për rrugëtimin evropian dhe të ardhmen e përbashkët në familjen e madhe evropiane.

Costa: Kosova duhet të përmbushë obligimet në dialog

“E mirëpres punën tuaj për dialogun Beograd-Prishtinë. Siç e dini, është gjithashtu thelbësore të bëhet përparim i vërtetë dhe i prekshëm në këtë dialog dhe të normalizohen marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo do të ishte në të mirë të rrugës suaj evropiane dhe, në fund të fundit, në të mirë të jetëve të qytetarëve të Kosovës. Vendi i Kosovës është në familjen e Bashkimit Evropian, por kjo kërkon gjithashtu që ju të përmbushni zotimet tuaja. Me përfaqësuesin e ri të posaçëm të BE-së, Peter Sorensen, është koha të shfrytëzoni këtë mundësi dhe të ecni përpara”, tha ai.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani shprehu shpresën se emërimi i Peter Sorensen si përfaqësues i ri i BE-së për dialogun do të sjellë një frymë të re dhe qasje të balancuar në proces.

Osmani: Shpresojmë që në dialog të ketë një qasje të balancuar

“Me emërimin e emisarit të ri për dialog shpresojmë që të sjellë një frymë të re dhe qasje të balancuar, si dhe trajtim të barabartë të dy palëve në këtë proces. Në Kosovë jemi të bindur se fokusi kryesor i këtij procesi duhet të jetë njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, pasi përndryshe nuk do të kontribuonte për paqe dhe stabilitet afatgjatë. Megjithatë, më duhet të përmend se vizita e fundit e Vuçiq në Moskë nuk mund të shihet ndryshe veçse si një akt i qartë politik që sfidon stabilitetin e Evropës. Nëse një vend pretendues për anëtarësim sillet kështu dhe nuk përballet me asnjë masë, atëherë lind pyetja se çfarë mesazhi po i jepet rajonit tonë”, theksoi Osmani.

Presidenti Costa foli edhe për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, duke thënë se është një mundësi e madhe për rajonin. Ai nënvizoi se është thelbësore të vazhdohet puna për zbatimin e një agjende ambicioze reformash, në mënyrë që Kosova të mund të përfitojë plotësisht prej saj.

Zyra e BE për takimin e Costa me Kurtin: U nënvizua rëndësia e angazhimit të Kosovës për normalizim me Serbinë

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë ka ndarë pamje të takimit që Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Antonio Costa, zhvilloi sonte në Prishtinë me kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

Në njoftimin e publikuar në faqen e tyre në Facebook, bëhet e ditur se Costa “theksoi rëndësinë që Kosova të angazhohet në normalizimin e marrëdhënieve përmes një dialogu konstruktiv për të avancuar në rrugën e saj evropiane”.

Postimi i plotë:

Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Antonio Costa, u takua me kryeministrin në largim të Kosovës, Albin Kurti, dhe theksoi rëndësinë që Kosova të angazhohet në normalizimin e marrëdhënieve përmes një dialogu konstruktiv për të avancuar në rrugën e saj evropiane

Osmani pas takimit me Costan: Është koha që edhe BE-ja të tregojë vendosmëri

Nga: Bota sot

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ku u prit nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Gjatë takimit, u diskutua për rrugën evropiane të Kosovës dhe për nevojën që BE të heqë masat e padrejta ndaj vendit.

Presidentja Osmani theksoi se Kosova është gati për hapa të mëdhenj drejt BE-së dhe kërkoi që aplikimi për anëtarësim të trajtohet me prioritet.

Postimi i plotë:

Kosova është gati për hapa të mëdhenj drejt BE-së. Është koha që edhe BE-ja të tregojë vendosmëri.

Sot pata kënaqësinë ta mirëpres për herë të parë në Kosovë Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Me mikun e vendit tonë diskutuam për rrugën evropiane të Kosovës, për domosdoshmërinë që BE t`i heqë masat e padrejta ndaj vendit tonë, dhe për nevojën që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE të trajtohet sa më parë.

Pas Osmanit, presidenti i Këshillit të Evropës takon Kurtin

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa po qëndron për vizitë në Kosovë.

Ai fillimisht është takuar me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.

Pas takimit me Osmanin Costa është takuar dhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin.

Ndryshe Osmani dhe Costa pas takimit kanë mbajtur dhe një konferencë për media..

Costa i kërkon Kosovës të jetë një partner i besueshëm i BE-së dhe me fqinjët e saj

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, ka kërkuar nga Kosova që të jetë një partner i besueshëm i partnerëve të saj në Bashkimin Europian dhe me fqinjët e saj.

“Në fund të fundit, gjithçka varet nga ndërtimi i besimit – që të jeni një partner i besueshëm dhe i qëndrueshëm, brenda vendit, me fqinjët tuaj dhe me partnerët tuaj në Bashkimin Europian”, tha sot Costa në një konferencë të përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani.

Costa gjithashtu foli edhe për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të cilin e prezantoi si në “mundësi e madhe” dhe tha se është thelbësore të vazhdohet puna për zbatimin e agjendës së reformave, në mënyrë që Kosova të përfitojë plotësisht prej saj.

Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës: Çdo minutë më shumë me masat në fuqi është një minutë më shumë padrejtësi

Presidentja e vendit Vjosa Osmani pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, António Costa  ka thënë se është koha që Kosovës t’i hiqen masat e padrejta.

“Qytetarët tanë pa asnjë dyshim janë më pro evropianet në tërë rajonin dhe në tërë kontinetin tonë. Dhe nëse integrimi evropian është një rrugë që kërkon besim, përkushtim dhe durim, atëherë është koha që kjo të reflektohet përtej fjalëve dhe më hapa konkret sa i përket integrimit të shtetit tonë në BE.

Presim që nën udhëheqjen tuaj të bëjmë këta hapa përpara dhe që nën udhëheqjen tuaj Kosovës t’i hapet përfundimisht rruga drejtë BE-së.

Në mënyrë që të ndodh kjo natyrisht që shpresojmë besojmë që shtete anëtare më në fund pajtohen që të hiqen masat e padrejta ndaj Kosovës, të cilat dëmtojnë interesat e qytetarëve tanë dhe projektet kyçe që  lidhen me vet inegrimin evropian.

Këtë  verë po bëhen dy vite nga vendosja e masave. Çdo minutë më shumë me masat në fuqi është një  minutë më shumë padrejtësie dhe një minut më shumë larg jetësimit të endërres eviopiane të qytetarëve tanë“, tha ajo.

Costa e thekson se heqja e masave lidhet me deeskalimin në Veri: Shpresoj që ngjarjet e fundit të jenë përjashtim

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, ka thënë se do të donte të kishte depërshkallëzim që të mund të hiqen masat.

“Këto masa janë të lidhura me nevojën për të de-përshkallëzuar tensionet në rajon dhe në veri të vendit. Dhe ajo që dëshiroj është që sa më shpejt të kemi këtë de-përshkallëzim, e më pas të mund të ecim përpara dhe t’i heqim këto masa.

Shpresoj që ngjarjet e fundit të mos përfaqësojnë një prirje të re, por të jenë përjashtim që konfirmon rregullin se ju jeni plotësisht të angazhuar në këtë rrugë evropiane për të de-përshkallëzuar dhe, siç tha Zonja Presidente dje, për t’u angazhuar në këtë dialog mes Beogradit dhe Prishtinës”.

“Së fundmi kemi emëruar një përfaqësues të ri për të lehtësuar këtë dialog, dhe ky dialog është një element thelbësor në këtë rrugëtim të përbashkët evropian për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët në Bashkimin Evropian”.

Osmani pas takimit me Costan: T’i hapet rruga Kosovës drejt BE-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, kanë dalë në konferencë të përbashkët për shtyp.

Osmani tha se shpreson që shtetet anëtare të heqin masat ndaj Kosovës.

“Kosova është gati të ec përpara. Integrimi evropian është një rrugë që kërkon përkushtim… Nën udhëheqjen tuaj t’i hapet rruga Kosovës drejt BE-së. Çdo minute me masat në fuqi është minutë me shumë padrejtësi”, ka thënë Osmani, raporton Telegrafi.

Ajo gjithashtu kërkoi që pesë shtetet anëtare të BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Osmani tha se shpreson që me emërimin e emisarit të ri në dialog, shpreson që ky proces të ec përpara dhe një frymë të re dhe një trajtim të barabartë në këtë proces.

“Fokusi kryesor i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë, mes Kosovës dhe Serbis”, tha ajo.

Ajo komentoi edhe vizitën e fundit të Vuçiqit në Moskë.

“Ky është një akt i qartë që sfidon qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e Evropës”, tha Osmani

Ajo tutje ka falënderuar presidentin Costa për angazhimin e tonë drejt rrugës evropiane të Kosovës.

“Është investim në paqe dhe stabilitet. Plani i rritjes për Ballkanin është një mundësi e mirë. Është qenësore të ketë progres në dialogun Kosovë-Serbi”, ka thënë Osmani.

Costa mbërrin në Prishtinë pritet nga presidentja Osmani

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka arritur në Prishtinë.

Ai u prit në oborrin  e presidencës nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Pas takimit do të ketë konferencë të përbashkët.

Ndërkohë, në orën 18:40, Costa do të zhvillojë takim me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në ambientet e Zyrës së Kryeministrit.

Vizita e tij në Kosovë pason deklaratat e bëra një ditë më parë në Beograd, ku theksoi se “dialogu me Kosovën mbetet një nga kushtet kyçe për përparimin e Serbisë në procesin e integrimit evropian”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat