Kuvendi ngec për herë të 18-të - nuk ka shenja për zbllokim!

Aktuale

Kuvendi ngec për herë të 18-të - nuk ka shenja për zbllokim!

Më: 19 maj 2025 Në ora: 06:45 Përditësuar në ora: 11:12 më 19.05.2025
Kuvendi i Kosovës

Vazhdon saga: Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e 18-të

Për të tetëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të hënën ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Ligjbërësit refuzuan për të dhjetën herë rresht që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.

Çështja e votimit të fshehtë – që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post – është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Ato thonë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish, në vazhdimin e seancës konstituive, më 19 maj, që ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Seanca konstituive do të vazhdojë të mërkurën e 21 majit.

Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.

Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.

Haxhiu e LVV-së po konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja.Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.

Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, e cila ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.

Të enjten, pas një takimi të thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me përfaqësues të partive politike, Osmani tha se nuk pati pajtim rreth konstituimit të Kuvendit, por shtoi se kishte parë një Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.“disponim minimal” tek liderët partiakë për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

​Gruda akuzon LVV-në: Po mban peng themelimin e institucioneve të reja

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po mban peng themelimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Ai duke hyrë në objektin e Kuvendit të Kosovës ku pritet të vazhdojë për herë të 18-të seanca konstituive për legjislaturën e nëntë, tha se edhe në seancën e sotme skenari pritet të jetë i njëjtë.

Gruda ritheksoi pozicionin e PDK-së se nuk do të marrin pjesë në votim për formimin e komisionit verifikues për zgjedhjen me votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit.

Gruda: LVV po mban peng themelimin e institucioneve të reja

“Partia që nuk ka arritur të fitojë shumicën absolute pretendon se ka fituar shumicën dhe i ka marrë peng institucionet e Kosovës. Kryeministri dhe ministrat janë në qeveri në mënyrë të kundërligjshme dhe tash duan në mënyrë të kundërligjshme dhe kundër-kushtuese me mbajt peng edhe Kuvendin. Kjo situatë është absurde, pasi partia që ka dalë e para në zgjedhje ka vendosur që të jap prioritet një emri të përveçshëm - Albulena Haxhiut, karshi institucioneve dhe interesave të Kosovës”, tha ai.

Ai sqaroi edhe, sipas tij, konceptet kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Sipas deputetit të PDK-së “me qenë e përcaktuar në Kushtetutë se kryetar i Kuvendit i takon me automatizëm partisë fituese të zgjedhjeve atëherë aty do të shkruhej emërohet kryeparlamentari e jo zgjidhet”.

Andaj, sipas tij, duhet marrë edhe votat e të tjerëve në Kuvend.

Gruda: Ky është koncepti kushtetues për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

“Në Kushtetutë ky koncept është i qartë, thuhet kryetari i Kuvendit zgjidhet, nuk thuhet emërohet sikurse ministrat. Kemi të bëjmë me konceptin e emërimit dhe zgjedhjes. Me qenë e përcaktuar se kryetari i Kuvendit me automatizëm është i partisë fituese në Kushtetutë do të shkruante sikurse ministrat emërohet kryetari i Kuvendit. Mirëpo thuhet zgjidhet, për sa kohë thuhet zgjidhet duhet me i marrë edhe votat e të tjerëve. Ne nuk votojmë nën diktat”, theksoi ai.

Haradinaj i prerë: Kurti sot do duhej të reflektonte

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, u shpreh se lideri i VV-së, Albin Kurti sot do duhej të reflektonte e të ndryshonte kandidatin e saj për kryeparlamentar.

Ai madje deklaroi prerazi se janë kundër votimit të fshehtë.

”Duket një deja vu. Derisa nuk ka një marrëveshje mbetet e njëjta”.

”Tash nuk bëhet llaf më për pushtet, flasim për partinë që ka dalë e para në zgjedhje. Është antikushtetues ndryshimi i mënyrës së votimit gjatë vazhdimit të seancës”.

”Është ofertë e mirë dhe zotri Kurti sot ish dashtë me reflektu [ ta ndërrojë kandidatin]”.

Zogaj: Ne kërkojmë qasje serioze për dalje nga ngërçi, presim që VV t’i ftojë partitë tjera

Para nisjes së vazhdimit të seancës konstituive, deputeti i zgjedhur i LDK’së, Alban Zogaj, ka thënë se nuk pret asgjë ndryshe nga herët tjera.

“Sepse nuk mund të ketë ndryshime nëse nuk ka ndryshim të rrethanave. Ne nuk po shohim që ka ndryshim të rrethanave, madje nuk po shohim as qasje serioze për me ndryshu diçka. Siç shihet nuk ka kurrfarë urgjence, po vijmë çdo 48 orë, është bërë absurde. Unë një ditë e kam quajtur të turpshme sepse kjo kështu para qytetarëve edhe neve po na bën me u ndi keq”, tha ai.

“Ne kërkojmë qasje serioze në dalje nga ngërçi politik, e qasja serioze nënkupton komunikim, komunikim i partisë së parë me të tjerët në mënyrë që me dalë prej ngërçit”, tha ai.

Zogaj kur u pyet nga gazetarët për refuzimin e VV’së nga LDK, ai tha se presin që partia e parë t’i ftojë partitë tjera.

“Ne presim që me i ftu edhe të tjerat, le të vazhdon me të tjerat. Ne e kemi refuzu, dëshirojmë me qëndru në pozicionin tonë sepse ekziston një hendek i madh mes LDK’së dhe VV’së, të cilin hendek e kemi shpjegu shumë herë”, tha ai.

Peci thotë se është në dorën e opozitës që të ketë ndonjë risi në Kuvend

Deputeti i LVV-së, Faton Peci para mediat lidhur me risitë në Kuvend ai tha se VV është pushtet kujdestar.

Peci në një deklarim për media të hënën paralajmërojë se edhe në këtë seancë do të shkojnë me skenarin e njëjtë atë të votimit të fshehtë.

“Ata që e kanë në dorë me pasë risi, ne jemi pushteti kujdestar do të thotë ajo që mundemi me pritë ndryshim, pjesa kryesore i takon pjesës së partive, PDK, LDK, AAK. Të gjithë deputetë tanë që po marrin pjesë votojnë në funksion në debllokim të Kuvendit”, tha Peci.

Ai ndër të tjera shtoi se kjo është mënyra më e mirë për të dal nga kriza, pasi siç ka thënë ai shumë deputetë në biseda private thonë se i vret ndërgjegjja që nuk po konstituohet Kuvendi.

Sot përpjekja e 18-të për konstituimin e Legjislaturës së Kuvendit

Deputetët e zgjedhur nga zgjedhjet paralamentare të 9 shkurtit do të mblidhen sërish sot në Kuvendin e Kosovës në përpjekjen e 18-të për konstituimin e Legjislaturës së nëntë.

Vazhdimi i seancës konstituive është paraparë të nisë në orën 10:30.

Të shtunën dështoi përpjekja e 17-të. Kryesuesi Dehari ftoi përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare që nuk i kanë propozuar deputetët për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë, përkatësisht PDK-në, LDK-në, Listën serbe dhe AAK-Nismën Socialdemokrate, që ta bëjnë këtë. Por, të njëjtat nuk paraqitën propozime. 

Tutje, përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim. 

Prej 54 deputetëve që morën pjesë në votim, 53 votuan për dhe një kundër, ndërsa abstenime nuk pati. Kryesuesi Dehari konstatoi se nuk ka kuorum dhe për rrjedhojë seanca ndërpritet. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat