​ZRRE thotë se liberalizimi i tregut për energji nis më 1 qershor pavarësisht kundërshtimeve

Aktuale

​ZRRE thotë se liberalizimi i tregut për energji nis më 1 qershor pavarësisht kundërshtimeve

Më: 22 maj 2025 Në ora: 17:50
Foto ilustrim

Zyra e Rregullatorit për Energji mbajti sot takim me furnizuesit e licencuar për furnizim me energji elektrike në vend, ku u tha se janë përmbushur kushtet e nevojshme për fillimin e funksionimit të tregut të liberalizuar të energjisë elektrike më 1 qershor pavarësisht kundërshtimeve se kjo do të dëmtojë bizneset.

Në takim morën pjesë edhe furnizues të licencuar nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke reflektuar njohjen reciproke të licencave ndërmjet vendeve të rajonit.

Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji në takim me furnizuesit e licencuar, theksoi rëndësinë e transparencës dhe informimit të saktë të konsumatorëve gjatë këtij tranzicioni.

Ai nënvizoi se roli i rregullatorit do të mbetet kyç në monitorimin dhe garantimin e një tregu të drejtë dhe konkurrues.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli theksoi rëndësinë e përgatitjeve të përbashkëta për kalim të suksesshëm drejt tregut të liberalizuar të energjisë elektrike, ndërsa furnizuesit e licencuar shprehën gatishmërinë për të ofruar ofertat për konsumatorët që shprehin interes për furnizim në tregun e lirë.

Po ashtu, ata u zotuan për një bashkëpunim të vazhdueshëm me ZRRE-në dhe për ofrimin e informacioneve të nevojshme për konsumatorët që kërkojnë sqarime lidhur me kalimin në tregun e liberalizuar.

Në takim u konstatua se janë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për fillimin e funksionimit të tregut të liberalizuar të energjisë elektrike, i cili do të nisë zyrtarisht më 1 qershor 2025.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka paralajmëruar sot se do të nisë betejën ligjore për të kundërshtuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për liberalizimin e shpejtë të tregut të energjisë, pasi është marrë pa një analizë të mirëfilltë dhe pa asnjë konsultim me palët e interesit, raporton KosovaPress.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë njoftoi sot se nga nëntëmbëdhjetë kompani për të cilat Zyra e Rregullatorit të Energjisë thotë se kanë marrë licencë për furnizim me energji elektrike, është vetëm KESCO që po ofron në gjë të tillë, por me çmim shumëfish më të lartë se çmimi aktual.

Ne vlerësojmë se Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, po merr vendime dhe po ndërron kriteret sa i përket të punësuarve, thotë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë.

Ndërsa deri më tani ka vlejtur vetëm kriteri që kompanitë me mbi 50 punëtorë dhe ato deri në 10 milionë euro qarkullim do të dalin në treg të hapur të energjisë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë është njoftuar se në kriterin e ri, të vendosur nga Zyra e Rregullatorit për Energji, janë përfshirë edhe kompanitë që kanë deri në 50 punëtorë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat