U raportua për eskalim të situatës në Mitrovicë të Veriut – Policia e Kosovës zbulon se çfarë ndodhi

Aktuale

U raportua për eskalim të situatës në Mitrovicë të Veriut – Policia e Kosovës zbulon se çfarë ndodhi

Nga: Bota sot Më: 23 maj 2025 Në ora: 19:08
Ilustrim

Policia e Kosovës, përmes Stacionit Policor në Mitrovicë të Veriut, ka reaguar sot ndaj disa raportimeve të cilat e kanë paraqitur aktivitetin e maturantëve si “protestë” dhe kanë sugjeruar për “eskalim të situatës”.

Në reagimin zyrtar, Policia ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një aktivitet të njoftuar paraprakisht dhe jo për ndonjë formë proteste.

"Policia e Kosovës, përmes stacionit në Mitrovicë të Veriut, dëshiron të demantojë disa nga raportimet e sotme që lidhen me aktivitetin “Defilim i maturantëve” në këtë komunë. Në media dhe rrjete sociale janë shfaqur pretendime se bëhej fjalë për “protestë” apo “eskalim të situatës”, por sqarojmë se këto janë të pavërteta dhe të pasakta.

Aktiviteti në fjalë ishte një organizim tradicional i maturantëve të Komunës së Mitrovicës së Veriut, të cilin ata e kanë njoftuar paraprakisht në Policinë e Kosovës, dhe si i tillë nuk ka qenë as protestë e as nuk ka përfshirë ndonjë incident të natyrës së eskalimit.

Policia e Kosovës ka qenë e pranishme gjatë tërë kohës për të ofruar siguri dhe për të mbështetur mbarëvajtjen e këtij aktiviteti. Defilimi ka përfunduar në mënyrë të qetë dhe pa ndonjë problem të theksuar. Gjatë festimeve janë evidentuar disa provokime të izoluara, mirëpo falë reagimit të shpejtë dhe të kujdesshëm të Policisë, situata është menaxhuar pa u lejuar përshkallëzimi i saj.

Maturantët kanë vazhduar festën e tyre pa pengesa, ndërsa Policia e Kosovës i falënderon të gjithë qytetarët për bashkëpunimin dhe angazhimin në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Njëkohësisht, inkurajojmë të gjithë qytetarët që të vazhdojnë të raportojnë çdo sjellje të dyshimtë apo rrezikshme përmes numrit emergjent 192, në mënyrë që së bashku të kontribuojmë për një ambient më të sigurt për të gjithë", thuhet në reagimin e Policisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat