Rashiti e Shaqiri dëshmuan me detaje tronditëse për sulmin terrorist në “Banjskë”, ja si ishte zhvilluar krejt ngjarja

Aktuale

Rashiti e Shaqiri dëshmuan me detaje tronditëse për sulmin terrorist në “Banjskë”, ja si ishte zhvilluar krejt ngjarja

Më: 9 qershor 2025 Në ora: 06:50 Përditësuar në ora: 15:01 më 09.06.2025
Të akuzuarit në rastin "Banjska" sillen para Gjykatës Themelore në Prishtinë, 9 qershor.

Dy policë përfundojnë dëshmitë për rastin "Banjska"

Dy policë të Kosovës, Alban Rashiti dhe Çlirim Shaqiri, kanë dëshmuar për sulmin në Banjskë të Zveçanit, gjatë seancës së dytë gjyqësore të mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës më 9 qershor.

Seanca gjyqësore kundër tre nga 45 të akuzuarve për terrorizëm dhe vepra të rënda penale në rastin “Banjska” – ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës në shtator 2023 – do të vazhdojë më 11 qershor, ku pritet të dëshmojnë dy të lënduarit e tjerë Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

Seanca filloi mëngjesin e së hënës me dëshminë e policit Alban Rashiti, i cili ishte plagosur kur Policia e Kosovës u përball me sulm nga një grup i serbëve të armatosur natën e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë në veri të vendit. Më pas dha dëshminë edhe polici tjetër i dëmtuar, Çlirim Shaqiri.

Tre të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, u deklaruan të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale në seancën e parë.

Rashiti tregoi se, së bashku me disa kolegë të tij ishin mbaruar ndërrimin dhe po ktheheshin në bazën e tyre në Kushtovë nga fshati Izvor në Zveçan, kur kishin hasur në dy kamionë të ngarkuar që kishin bllokuar urën e Banjskës.

Atyre u ishte kërkuar nga baza të ktheheshin në vendin e ngjarjes, pasi ishin larguar, për të dërguar fotografi apo prova për bllokadën mbi urë, ku më vonë atyre u ishin bashkuar si përforcim edhe dy vetura me gjashtë policë, përfshirë të ndjerin Bunjaku.

Rashiti më pas tregoi se si gjatë kontrollimit të vendit të ngjarjes, “në ato momente qetësie... ndodhi një shpërthim shumë i madh qe nuk e kemi ditur nga ka ardhur edhe e kam kuptuar që jam qëlluar në krah”.

“Pastaj kanë filluar gjuajtjet me armë dhe kam parë që në anën e majtë rreshteri Bunjaku ka mbetur i plagosur në tokë, i gjakosur në fytyrë”, tregoi ai.

Ai tregoi se janë ballafaquar me zjarrin derisa u ka dalë në ndihmë një autoblindë policore.Sipas Rashitit, grupi ka qenë i organizuar mirë, dhe me një plan. "Formacioni ka qenë ushtarak, sepse gjithçka ka qenë e koordinuar dhe ka qenë shumë afër nesh”.

"Ka pas gjuajtje me raketahedhës, duhet të jesh i kualifikuar për atë mjet”, dëshmoi ai.

Por, avokatët mbrojtës të të akuzuarve vlerësuan se dëshmitari Rashiti foli “në mënyrë të përgjithshme” për zhvillimet para dhe gjatë sulmit, pa i akuzuar drejtpërdrejt klientët e tyre.

Avokati Lubomir Pantoviq, i cili përfaqëson Blagoja Spasojeviqin, përsëriti se as në aktakuzë nuk është përshkruar saktësisht, apo në mënyrë të hollësishme se çfarë kanë bërë konkretisht tre të pandehurit gjatë sulmit, por se vetëm është përshkruar përgjithësisht ngjarja.

Avokatja Jovana Filipoviq, që mbron Dushan Maksimoviqin, tha se dëshmitari Rashiti nuk ka qenë në gjendje ta identifikojë asnjë nga të pranishmit, dhe “për këtë arsye mbrojtja nuk kishte asnjë pyetje për të”.

"Të gjithë dëshmitarët e propozuar për këtë javë nuk kanë deklarata konkrete lidhur me të pandehurit, prandaj nuk presim të mësojmë ndonjë të re", u shpreh ajo për gazetarët.

Filipoviq përsëriti se klienti i saj “nuk ka lidhje me ngjarjet në Banjskë” dhe se “ekzistojnë dëshmitarë që do të konfirmojnë alibinë e tij”.

Në seancën e sotme ka dëshmuar edhe Çlirim Shaqiri, polici i dëmtuar gjatë sulmit.

Shaqiri tregoi se më 24 shtator ka marrë lëndime të rënda dhe se vazhdon të marrë trajtim mjekësor.

Ai tha se gjatë bisedës në telefon me nënkolonel Veton Elshani, kanë ndodhur dy shpërthime dhe se ka arritur t'i thotë në telefon se kanë ndodhur shpërthimet.

"Të shtënat nuk janë ndalë asnjë moment, ka qenë armatim jashtëzakonisht i rëndë", tha Shaqiri.

Shaqiri e përshkroi momentin kur ishin munduar ta fusnin në veturë rreshterin, Afrim Bunjaku, duke thënë se kishin vështirësi ta fusin në veturë për shkak të gjuajtjeve të vazhdueshme.

"E kam vërejtur që s'ka puls", tha ai për Bunjakun, trupin e së cilit arritën ta fusin në veturë për ta çuar në spitalin e Mitrovicës.

"Gjatë përvojës si polic nuk jam përballur asnjëherë me një sulm të tillë", shtoi ai.

Shaqiri iu përgjigj pyetjes së avokatit të Vladimir Toliqit, i cili kërkoi të dijë se nga çfarë i ka marrë lëndimet Shaqiri gjatë sulmit.

Ai tregoi se përveç lëndimeve psikologjike ka edhe lëndime trupore.

"Kur ka ndodhur shpërthimi kam ndjerë një shtypje në kraharor. Kur kam filluar të tërheq trupin e Afrim Bunjakut kam vërejtur se dhimbja në kraharor është shumë e madh", deklaroi ai.

Gjatë seancës së parë në prill, avokati i familjes së rreshterit të vrarë Afrim Bunjaku, Arianit Koci, kërkoi burgim të përjetshëm për të akuzuarit.

Tre të akuzuarit u arrestuan pas sulmit në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur i serbëve e sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau Bunjakun.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin e armatosur e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon përkrahjen e Beogradit zyrtar.

Për Radoiçiqin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.

Dyzet e dy të dyshuarit akuzohen terrorizëm, vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa Radoiçiq akuzohet edhe për lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit, si dhe për shpëlarje parash.

Gjykata theksoi në prill se gjykimi ndaj tyre duhet të vazhdojë pas arrestimit dhe ekstradimit të tyre në Kosovë.Në seancën e parë në prill, pas deklarimit për fajësinë nga tre të akuzuarit, prokurori special Naim Abazi tha se përmes videove do të dëshmohet se sulmi ishte i paraplanifikuar dhe se grupi ishte "i mirëorganizuar".

Gjatë shfaqjes së videove të marra nga dronët në ditën e sulmit, Abazi tha se nga sulmi kishin mbetur të dëmtuara edhe shtëpitë e qytetarëve të asaj zone.

Tre të akuzuarit i mohuan akuzat dhe pretenduan se nuk e kishin qëllim vrasjen e askujt, e aq më pak bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, ashtu siç thotë aktakuza.

Çfarë përmban aktakuza për rastin “Banjska”?

Prokuroria Speciale e Kosovës, përveç tjerash, i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Prokurori i rastit, Naim Abazi, më herët ka deklaruar se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal, “nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe pastrimi i parave”.

Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale.Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.

Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij.

Nga ana tjetër, Serbia ka mohuar çdo përfshirje në sulmin në Banjskë, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por se po hetohet.

Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Gjykimi për rastin “Banjska” – nis dëshminë edhe polici Çlirim Shaqiri

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po mbahet seanca e radhës për rastin “Banjska”.

Pas Alban Rashitit i cili mbeti i plagosur nga sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ka nisur të dëshmojë edhe zyrtari policor, Çlirim Shaqiri i cili kishte pësuar lëndime atë kohë.

Paraprakisht, Alban Rashiti dëshmoi për herën e fundit të përshëndetjes me rreshterin Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë sulmit.

“Ka ardh Afrimi, jemi përshëndet. Kemi vendosur me qenë në gjendje gatishmërie”, dëshmoi polici Rashiti.

“Ka qenë një shpërthim shumë i madh”, Alban Rashiti rrëfen se si u vra rreshteri Afrim Bunjaku e çfarë ndodhi atë natë

Zyrtari policor Alban Rashiti, ka rrëfyer për ngjarjen e natës kritike të 24 shtatorit 2023, në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa vetë Rashiti kishte pësuar disa plagë.  Ai tregoi se si arritën t’i mbijetonin të shtënave atë natë dhe si ndodhi e gjithë ngjarja ku mbeti i vrarë Bunjaku.

Fillimisht, Rashiti tha se më 23 shtator 2023 kishin filluar punën në orën 08:00 të mëngjesit dhe se ndërrimi me pjesëtarët tjerë ishte bërë në fshatin Izvor mbi Banjskë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Kemi qëndruar aty deri në ora 14:00, gjithçka ka qenë në rregull. Pastaj, është bërë ndërrimi nga kolegët dhe kemi shku në bazën në Kushllovë të Vllahisë, deri në ora 20:00 kemi qëndruar në gjendje gatishmërie”, tha Rashiti.

Sipas tij, informatën e parë e kishin marrë për një veturë të dyshimtë, një orë pasi ishte bërë ndërrimi- pra në orën 21:00. Informacioni u kishte ardhë nga dhoma komanduese, ku u ishte thënë se në rrugën e Izvorit është një veturë e parkuar në një livadh.

Atë informacion, ai tha se dhoma komanduese e kishte marrë nga Njësia për Reagim të Shpejtë, të cilët u kishin thënë se ajo veturë është e dyshimtë.

“Ne e kemi pranuar informatën dhe kemi filluar menjëherë me patrullën për këtë veturë të dyshuar. Kemi arritur ta lokalizojmë veturën, ajo ka qenë aty në një livadh në një rrugë afër disa shtëpive. Me neve ka qenë njësia kufitare”, tha Rashiti.

Polici tha se vetura në fjalë ishte e tipit “Jeep”. Kurse, kolegët e njësisë kufitare e kishin bërë identifikimin e targave. Tha se nga dhoma komanduese u ishte konfirmuar se për atë veturë nuk ka të dhëna në sistem.

Më pas, Rashiti tha se nga kolegët e vijës së gjelbër u është thënë se vetura është e njohur për ta dhe se pronari nuk ka asgjë të dyshimtë. Por, pronari që jetonte aty afër, e kishte lënë veturën në atë vend dhe kishte shkuar në shtëpi.

“Ne i kemi bartë këto informata dhe jemi larguar pasi nuk kemi pa diçka të dyshimtë”, tha Rashiti.

Dëshmitari tha se më pas më 24 shtator 2023 ishte bërë ndërrimi i stafit që patrullonin në atë pjesë. Pas kësaj, tha se bashkë me kolegët Çlirim Shaqiri dhe Mirsad Kryeziu, kanë vazhduar nga Izvori për të kaluar në Banjskë e më pas për të dalë në rrugën kryesore dhe për të shkuar në bazë.

Rashiti tha se me të arritur te ura, në anën e djathtë e cila të dërgon në fshatin Banjskë, kanë vërejtur dy kamionë me peshë të rëndë, të cilët kishin barrikaduar urën. Pra, ishin të parkuar mbi urë paralel.

Sipas tij, aty kanë shikuar nëse ka diçka të dyshimtë, por që nuk kanë parë persona duke lëvizur. Tha se e kishin lajmëruar dhomën komanduese, mirëpo për shkak të problemeve nuk kishte kaluar lidhja.

“E kemi parë të arsyeshme me lëvizë nga ai lokacion në tjetrin, që me informu dhomën se çfarë ka ndodh dhe me pa nëse ka ndonjë pengesë tjetër apo barrikadë”, tha Rashiti.

Pasi kishin dhënë informatën, polici thotë se u ishte kërkuar që të kthehen në vendngjarje dhe një foto si dëshmi për të parë se çfarë po ndodhte.

“Jemi kthyer në hyrje të fshatit, veturën e kam parkuar dku 30 metra larg kamionëve. Aty na është thënë se dy njësi janë dërguar në drejtim tuaj për asistencë që nuk kanë qenë tonat, por të Zveçanit”, tha Rashiti.

Sipas tij, me të dalë nga vetura me kolegët, janë dakorduar që Çlirimi të rri pranë veturës, ndërsa ai dhe Mirsadi u afruan pranë kamionëve për të parë se a ka diçka të dyshimtë.

Ai tha se 20 minutna kanë bërë patrullim aty dhe se nuk ka pasur diçka të dyshimtë. Aty tha se kishin arritur edhe dy vetura policore.

“Kanë qenë gjashtë policë, ku ndër ta ka qenë edhe rreshteri i ndjerë Afrim Bunjaku. Mirsadi ka komuniku me policët dhe rreshterin. Më pas ata vazhduan në drejtim të kamionëve me shiku për së afërmi se mos po ka diçka me na dhanë një sqarim se çka po ndodh aty”, tha Rashiti.

Ai shtoi se i kujtohet që rreshteri Bunjaku kishte shkuar aty dhe ishin përshëndetur, ku ishin konsultuar që të shpërndahen për të qenë në gjendje gatishmërie, pasi mund të ketë diçka me rrezikshmëri për ta.

“Gjendja në fshat ka qenë pothuajse absolute pa asnjë lëvizje dhe që nuk është e zakonshme. Momenti që ka ardhë rreshteri Afrim siç e përshkruva në ato qaste, jam largu 3-4 metra nga e majta, ka ndodh një shpërthim i papritur dhe e kam kuptu që jam plagos në krahun e majtë. Ka qenë shpërthim shumë i madh, pothuajse në mesin tonë nuk e kemi ditë nga ka ardhë, por e di që kur e kam kthy kokën kam pa tym të zi dhe zjarr dhe e kam pa që jam goditur me armë”, tha Rashiti.

Ai deklaroi se ishte munduar të kthehet në gjendje gatishmërie dhe se përsëri kishte ndodhur një shpërthim.

“Saqë rryma e ajrit më ka goditë përtoke qaq i madh ka qenë shpërthimi. Në momente sekondash ka fillua gjuajtje me armë zjarri. Kur kanë fillu gjuajtjet kemi kuptu që ka gjuajtje nga i tërë fshati me 10 pozicione, ka pas gjuajtje me armë apo kalibra të ndryshëm”, u shpreh Rashiti.

Polici tha se kishin filluar t’iu kundërpërgjigjen gjuajtjeve, më pas e kanë lokalizuar se nga po vinin ato gjuajtje.

“Por, kur e ktheva kokën e pash që rreshteri mbeti i shtrirë në tokë me shpinë, i gjakosur, i palëvizshëm. Me Mirsadin kërkuam nga Çlirimi që ta sjellë veturën aty dhe ta tërheqim rreshterin nga vendi sepse në atë vend kishte gjuajtje  tërë kohës”, tha Rashiti.

I njëjti theksoi se pasi u nis drejt tyre Çlirimi, kishin filluar gjuajtjet nga anë të ndryshme, duke e bërë veturën të palëvizshme, ku panë që nga motori po rridhte vaji dhe uji i motorit.

Më pas, tha se polici Mirsad i kishte kërkuar të gjuante dritat- për të krijuar errësirë, ngase predhat vinin në drejtim të tyre dhe se ishin në pozicion të pafavorshëm. Andaj, kishin prishur 2-4 drita.

Aty tha se u është kërkuar të mbulojnë me zjarr, por që ai nuk u kishte treguar se ishte i plagosur sepse Bunjaku ishte më keq.

“E kam mbulu me zjarr Mirsadin që ai me shku te vetura tjetër dhe me sjellë veturën ku ishte rreshteri që me e heq. Ashtu edhe ka ndodh. Kur e ka afru veturën, apet kanë gjuajt. Kemi arrit me shti rreshterin në veturë dhe me dy kolegët jemi nis në drejtim të rrugës kryesore me vazhdu për ndihmë mjekësore”, tha Rashiti.

Polici tregoi se të shtënat vazhduan edhe pasi u nisën, ku predhat ua shpërthyen gomat. Megjithatë, kishin arritur të largohen.

Rashiti tha se e kishte parë një dron duke përcjellë lëvizjet e tyre. Tha se pasi që gjendja po rëndohej kishin kërkuar të bashkohen në një pikë me kolegët.

Ai deklaroi se kishin parë më pas lëvizje të dyshimta, ku personat në fjalë po afroheshin në urë dhe se aty kanë filluar sërish ballafaqimin deri kur kanë arritur zyrtarët tjerë për ndërhyrje të shpejtë me mjete të blinduara.

Polici thotë se atë e kishin futur në mjetin e blinduar për të shkuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë. Tha se kishte marrë plagë nga goditja e minës, kishte plagë në krahun e majtë në pjesën prapa.

“Kam pas goditje, ajo pesha ka arrit e dalë në kraharor para, prapë është fut në pjesën e gjoksit dhe është ndal në pjesën afër zemrës. Një goditje tjetër kam pas në këmbën e djathtë në pjesën e brendshme. Pra, të dyja kanë qenë plagë të hapura. Në pjesën e shpinës kam pas një goditje tjetër, por fati i mirë është ndalur nga antiplumbi”, tha Rashiti.

Ai shtoi se edhe një predhë tjetër e kishte goditur në pjesën e mesit, por nuk i kishte shkaktuar lëndime, ngase ishte mbrojtur nga antiplumbi.

“Saktësisht, vendi ku ka ndodh shpërthimi është pak metra pas kamionëve. Rreshteri ka mbetur i shtrirë në pjesën hyrëse të urës në anën e djathtë të rrugës”, tha Rashiti.

I pyetur nëse ka arritur të identifikojë burimin e të shtënave, ai tha se shpërthimi i parë kishte ardhur nga ana e majtë, i dyti nga para- në drejtim të fshatit Banjskë. Tha se gjuajtje kishte nga i tërë fshati.

“Por, vlen të theksohet se ka qenë një snajperist që ka gjuajt tërë kohën dhe pozicioni i tij ka qenë shumë i rrezikshëm për neve dhe ai pozicion nuk ka qenë nga gjithkush por ka qenë ushtarak pasi që gjithçka ka qenë e koordinuar sepse gjuajtjet kanë qenë me predha të ndryshme shumë afër nesh”, tha Rashiti.

Sipas tij, dihet që ato përgatitje, armë e formacione, nuk i kanë disa terroristë apo persona- grup i thjeshtë, por përdorimi i tyre duhet të ketë trajnim të caktuar, ngase gjithçka ka qenë e koordinuar.

Sipas tij, personat që shtinin në drejtim të tyre kishin pasur një plan të përgatitur mirë dhe se ishte grup kriminal i strukturuar shumë mirë me njohuri të mira rreth armëve, ngase kishte pasur gjuajtje edhe me raketahedhës.

“Me gjuajt me të duhesh me qenë i kualifikuar për me përsos atë mjet”, shtoi ai.

Rashiti theksoi se pajisje të pazakonta ka qenë droni që i kishte vëzhguar tërë kohën, vend-ndriçimi dhe lëvizjet e tyre, por që nuk mund t’i identifikojë sepse ata kanë qenë të pozicionuar mirë dhe kanë qenë të përgatitur.

“I kam parë vetëm lëvizjet, por jo (nuk mundem) me i identifiku, pasi që ka qenë lëvizje dhe errësirë”, tha Rashiti, duke shtuar se nuk mund të thotë me saktësi se ishin të uniformuar.

Rashiti tha se intervali kohor mes dy shpërthimeve ishte shumë i shkurtër- çështje sekondash.

Mbrojtësit e tre të akuzuarve nuk patën pyetje për dëshmitarin pasi të mbrojturit e tyre nuk janë përmendur nga dëshmitari. Andaj, sipas tyre, dëshmia e Rashitit nuk ka të bëjë asgjë me Toliq, Maksimoviq dhe Spasojeviq.

Gjykatësi Arben Hoti e pyeti dëshmitarin, i cili pasi tha se në një moment personat që po shtinin me armë kanë shtënë në drejtim të tyre, a ka qenë rrezik se po afroheshin shumë dhe a kishte frikë se do zihej.

“Në momentin që është largu rreshteri Afrim Bunjaku aty kemi qenë me numër tre policë më pak. Droni ka qenë duke na vëzhgu, na kanë pa pozicionin, kemi qenë më pak në numër dhe një polic është plagos”, tha Rashiti.

Sipas tij, kur është bërë ndërrimi, nga rruga është parë që ata gjuanin dhe fshiheshin pas shtëpive. Pra, sipas tij, kishin qenë në pritë dhe në pozicion të keq dhe është dashtë të kenë kujdes sepse kanë qenë vendbanime me fëmijë.

Të shtënat, polici thotë se kanë qenë pa ndalë, kanë gjuajtur me pushkë automatike pa ndërprerë dhe përpos kësaj kanë vërejtë se kishte edhe snajperë.

​Nis gjykimi për sulmin në Banjskë, dëshmojnë pjesëtarët e Njësisë Speciale

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka nisur seanca e shqyrtimi gjyqësor kundër tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023. Në seancë do të dëgjohen sot pjesëtarët e Njësisë Speciale në cilësinë e dëshmitarëve Alban Rashiti në sesionin e paradites, ndërsa në sesionin e pasdites, Çlirim Shaqiri.

Nën masa të larta të sigurisë janë sjellur në gjykatore të akuzuarit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët janë në paraburgim nga shtatori i vitit 2023.

Ata janë arrestuar pas sulmit në Banjskë, në veri të Kosovës, kur një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës, ku mbeti i vrarë polici, Afrim Bunjaku.

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024 të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator të vitit të kaluar ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radouçiqit dhe 44 të tjerë për sulm terrorist të 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit.

E Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar gjykimin në mungesë për të gjithë pjesën tjerët të të akuzuarve që nuk janë në arrati.

Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat