Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Dimal Basha ka komentuar paralajmërimet e deputetëve të opozitës së deritanishme që do të bojkotojnë seancat e ardhshme.
Deputeti Basha pas dështimit të tridhjetë për konstituimin e Kuvendit tha se të njëjtit po e bojkotojnë me mos votim.
“Kur po thoni ‘ata nuk do të vijnë’, veç tregoma dallimin e një deputeti që vjen e nuk voton edhe atij që nuk vjen fare. Nuk ka dallim. Fuqia jonë e vetme këtu dhe funksioni më i rëndësishëm i një deputeti është për të votuar. Ti si erdhe dhe nuk votove si s’erdhe njëjtë është... Ata mund të votojnë kundër, ata janë duke e shkelur kushtetutën 22 herë ”, deklaroi ai.
Kuvendi i ri nuk ka arritur të konstituohet as pas tentimit të tridhjetë (30-të), të mërkurën më 11 qershor.
Në vazhdimin e seancës konstituive - që ka nisur më 15 prill - të pranishëm sot ishin 93 deputetë.
Sërish nuk arriti të votohet formimi i një komisioni të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit - propozim ky i Lëvizjes Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa.