Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë konventën e përgjithshme më 21 qershor, ku kandidat për kreun e kësaj partie do të jetë kryetari aktual Memli Krasniqi.
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së Vlora Çitaku, tha se konventa ka karakter zgjedhor dhe se përcaktimi i kandidatit për kryeministër në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk është temë diskutimi.
Në një konferencë për media, Çitaku tha se në konventë nuk do të zgjedhin vetëm drejtimin e partisë, por siç shtoi ai, do të përgatiten edhe për drejtimin e vendit.
Çitaku: Më 21 qershor PDK organizon konventën e përgjithshme
"Kam kënaqësinë që sot të ndaj një lajm të rëndësishëm me ju. Më 21 qershor, PDK do të organizojë konventën e përgjithshme, të 11-tën me radhë, e cila ka karakter zgjedhor. Një ngjarje që për neve nuk është vetëm statutare, por konfirmim i fuqisë sonë demokratike, një moment i rëndësishëm për të konsoliduar vizionin e ri dhe nisur fazën tjetër të angazhimit për Kosovën. Katër vjetët e fundit kanë qenë vite të punës, reformës dhe ri-ngritjes për PDK-në", tha Çitaku.
Në zgjedhjet lokale 2021, Çitaku tha se PDK-ja ka shënuar fitore të rëndësishme, ku theksoi se synojnë ta thellojnë më 12 tetor.
Çitaku: Memli Krasniqi kandidat i vetëm për kryetar të PDK-së
“Sot me krenari dhe përgjegjësi ju njoftoj se i vetmi kandidat për kryetar të PDK-së në këtë konventë, është kryetari ynë aktual, Memli Krasniqi. Kjo është një shenjë e qartë e unitetit, mbështetjes e besimit tonë në vizionin dhe udhëheqjen e tij. PDK është parti me përvojë shtet-formuese, me histori ndërtuese dhe kapacitet për të udhëhequr Kosovën drejt kapitullit të ardhshëm të zhvillimit dhe integrimit euroatlantik. Kosova ka nevojë për vizion, stabilitet, profesionalizëm dhe përfaqësim”, shtoi ajo.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku tha se në konventën zgjedhore nuk është temë diskutimi përcaktimi i kandidatit për kryeministër në rast se vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Çitaku: Përcaktimi i kandidatit për kryeministër nuk është temë diskutimi në konventë
“Bëhet fjalë vetëm për zgjedhje lokale, qytetarët e Republikës së Kosovës kanë votuar më 9 shkurt dhe kërkesa e tyre ndaj nesh tani është që të ndërtohen institucionet sa më parë. Në ndërkohë që përcaktimi i kandidatit për kryeministër, apo kandidates, listës zgjedhore, nuk është temë diskutimi në këtë konventë”, tha ajo.
Deputetët mblidhen nesër sërish në tentimin e 32-të për konstituim të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e nëntë shkurtit. Çitaku u pyet nëse ka pasur ndonjë takim gjatë kësaj kohe, por ajo akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për diktat.
Çitaku: LVV ka zgjedhur diktatin
“Për të kaluar te faza e ndërtimit të qeverisë, fillimisht duhet të konstituohet parlamenti i Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht, tash e saj muaj institucionet e Republikës së Kosovës, po mbahen peng nga kokëfortësia e LVV-së. Ju e dini që PDK ka qenë jashtëzakonisht konstruktive, ne kemi ofruar alternativë, kemi ofruar zgjidhje, mirëpo çfarë ka zgjedhur VV është diktati. Në demokraci diktati nuk funksionon, në demokraci ka nevojë për marrëveshje, ka nevojë për kompromis. PDK është gati”, tha Çitaku.
Çitaku ka komentuar edhe deklarimin e ish-ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili ka thënë se problemet e Ballkanit nuk janë çështje kryesore për Amerikën.
Çitaku: Kurti ka djegur çdo urë bashkëpunimi me Uashingtonin zyrtar
“Jo vetëm në katër vjetët e fundit, por në vazhdimësi natyra e raportit mes Kosovës dhe Uashingtonit nuk është diktuar nga personi që ka qenë në Shtëpi të Bardhë, por nga personat që kanë udhëhequr Kosovën. Fatkeqësisht, zotëri Kurti ka djegur çdo urë bashkëpunimi me Uashingtonin zyrtar, jo vetëm me administratën Trump. Dua të ju kujtoj që para presidentit (Donald) Trump, ne kemi pasur në Shtëpinë e Bardhë një mik të madh të Kosovës, presidentin (Joe) Biden. Fatkeqësisht, edhe atëherë ky relacion nuk ka qenë në dritën e saj më të mirë. Kosova ka nevojë për një qeveri të përgjegjshme, e cila di të krijojë miq, di të krijojë ura bashkëpunimi dhe një qeveri, e cila në Shtëpi të Bardhë, Bruksel dhe qendra të tjera të vendimmarrjes imponohet dhe trajtohet jo si problem, por si partner dhe si zgjidhje”, përfundoi Çitaku.
Kujtojmë, diplomati amerikan ka deklaruar për mediat se nuk është koha e viteve nëntëdhjeta dhe se bashkësia ndërkombëtare është e zënë edhe me çështje të tjera ndërkombëtare.