Për të nëntën herë me radhë është mbajtur Parada e Krenarisë. Marshi ka nisur nga sheshi “Skënderbeu” me moton “Asnjë hap mbrapa”.
Paradës i kanë prirë diplomatë të huajë, aktivistë të shoqërisë civile, por jo edhe krerë institucionalë.
Uresa Ahmeti, aktiviste dhe pjesë e grupit organizativ të “Prishtina Pride 2025” tha se ky aktivitet shënon përmbylljen e Javës së Krenarisë.
Ahmeti: Diskursi lokal është i mbushur me narrativ konservativ
“Këtë javë ja kemi dedikuar rezistencën e komunitetit LGBQTI+ në Kosovë por edhe më gjerë për shkak se diskursi global dhe lokal është i mbushur me narrativ konservativ që janë antiLGBTIQ+, anti të drejtave të njeriut dhe antidemokraci. Dhe ne kemi dashur me këtë edicion të tregojmë që jemi këtu, që kemi qenë dhe asnjë hap mbrapa nuk e bëjmë në progresin që e kemi arritur për të dështuar dashurinë, lumturinë dhe të drejtën për të ekzistuar lirshëm për të gjithë pa dallim”, deklaroi ajo.
Në legjislaturën e kaluar ka dështuar të miratohet Kodi Civil në Kuvendin e Kosovës, ku dy dispozita merren me çështjet e komunitetit LGBTIQ+. Ahmeti tha se ky dokument ka “treguar që ka shumë homofobë në Parlamentin e Kosovës”.
Ahmeti: Shumë prej homofobëve janë betuar sërish si deputetë
“Kodi Civil fatkeqësisht ka treguar që ka shumë homofobë në Parlamentin e Kosovës. Kemi parë që shumë prej atyre homofobëve tash janë betuar dhe do të vazhdojnë të jenë deputet në Parlamentin e Kosovës. Ne shpresojmë që shumë shpejt do të hyjë në votim përsëri, por kësaj here pritshmëria dhe kërkesa jonë direkte është që duhet të ndalohet gjuha diskriminuese dhe dezinformuese dhe urrejtëse që e kemi parë në vitin 2020, për shkak se jemi duke folur për një të drejtë të garantuar nga Kushtetuta e Kosovës”, shprehet ajo.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves tha se mbështesin miratimin e Kodit Civil në Kuvend. Ai tha se do të jetë në dorën e qeverisë së ardhshme të vendosë nëse dëshiron ta rikthejë për votim.
Hargreaves: I takon qeverisë së ardhshme nëse dëshiron ta rikthejë Kodin Civil në votim
“Për momentin, shpresoj që të kemi një parlament që do të mund të mblidhet së shpejti dhe të jetë në gjendje të shqyrtojë legjislacionin për të gjitha çështjet. Dhe sigurisht do të jetë në dorën e qeverisë së ardhshme të vendosë nëse dëshiron ta rikthejë për votim në parlamentin e ardhshëm. Ne, sigurisht, jemi shumë mbështetës të Kodit Civil, andaj do të shohim nëse kur të kemi një parlament dhe qeveri të re, ata do të duan ta rikthejnë dhe ta rishikojnë atë legjislacion. Por unë mendoj se është shumë e rëndësishme që Kosova të ketë legjislacion të përditësuar, modern dhe evropian që mbron të drejtat e të gjitha komuniteteve”, u shpreh ai.
Diplomati britanik u shpreh se edicioni i sivjetmë i javës së krenarisë është ngjarje fantastike.
Hargreaves: Dita e Krenarisë, një ngjarje fantastike
“Po, mirë, është një ngjarje fantastike dhe jam shumë i kënaqur që jam këtu me të gjithë anëtarët e komunitetit LGBT+ në Kosovë dhe shumë njerëz që kam vërejtur nga e gjithë bota. Dhe jam këtu si ambasador britanik, sepse Mbretëria e Bashkuar dhe unë personalisht besojmë fuqishëm në të drejtat themelore të komunitetit LGBTQI+. Tema e këtij viti, siç e dini, është “asnjë hap mbrapa” dhe kjo do të thotë se ka një ndjenjë reale se në mbarë botën dhe ndoshta edhe këtu në Kosovë, disa nga të drejtat për të cilat është punuar dhe luftuar aq shumë ndër vite po zbehen gradualisht dhe po sfidohen. Është e rëndësishme që ngjarje si kjo dhe të gjithë njerëzit këtu sot të jenë në gjendje të vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e komunitetit LGBT+ dhe këdo, çfarëdo që njerëzit besojnë, si duan të jetojnë, kë duan dhe si duan të sillen”, theksoi ambasadori britanik.
Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama tha se Prishtina është e hapur për të gjitha komunitetet.
Rama: Prishtina është e hapur për të gjitha komunitetet
“Prishtina është për të gjitha komunitetet. Prandaj këtu kemi një numër të madh të ambasadorëve, të cilët i janë bashkuar kësaj parade. Tregon që Prishtina është e hapur për të gjitha komunitetet. Ne duhet të krijojnë mundësi, platformë, për secilin njeri që të ndihet i barabartë në kryeqytet... Ne kemi një bashkëpunim të mrekullueshëm me komunitetin, kemi subvencione, ndihma të ndryshme, me organizatat që punojnë me komunitetin LGBTIQ+ dhe kryeqyteti normalisht gjithmonë i përkrah secilin qytetar, secilin komunitet, posaçërisht ato komunitete në pakicë, të cilat edhe kanë qenë të cenuara me vite të tëra, mirëpo kryeqyteti dhe shoqëria këtu tregojnë që jemi të një niveli më të ngritur”, përfundoi ai.
Pjesëmarrës në këtë organizim ka qenë edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde.
Kujtojmë, në legjislaturën e kaluar ka dështuar të miratohet Kodi Civil në Kuvendin e Kosovës. Kodi Civil është një ndër aktet juridike me rëndësi të madhe që ka për qëllim rregullimin e shumë çështjeve civile dhe mëton po ashtu përmirësimin e qasjes në drejtësi dhe fuqizimin e ligjit.
Krejt Kodi Civil është fokusuar në një dispozitë, dy dispozita që ndërlidhen kryesisht më të drejtat kushtetuese që ofron Kushtetuta komuniteteve, se komunitet LGBTIQ+. Kundërshtimet më të zëshme ndaj projekt-Kodit Civil lidhen me nenin që do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile”, mes personave me gjini të njëjtë.