​Remi: Pas UÇK-së, blloku i së keqes po sulmon institucionet e sigurisë

Aktuale

​Remi: Pas UÇK-së, blloku i së keqes po sulmon institucionet e sigurisë

Më: 15 qershor 2025 Në ora: 17:21
Rrustem Mustafa-Remi

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Rrustem Mustafa-Remi ka folur rreth sigurisë në vend.

Mustafa në emisionin Oksigjen të Klan Kosovës ka komentuar deklarimet për organet e sigurisë së vendit.

Ai ka thënë se “të gjithë ata që kanë punuar kundër UÇK-së, tash kanë edhe një mision shtesë”.

“Më 9 qershor është marrë vendimi për kapitullimin e Serbisë. Blloku i keq, sistemi armik përtej Serbisë, jo vetëm ata, kanë marrë vendime të rëndësishme strategjike se si t’i qasen vendit tonë - Kosovës. Kanë kaluar 26 vjet dhe kjo stërkeqje e tyre dhe të mos lënë asgjë pa bërë në dëm të tyre. Tash pas kësaj kohe i shtohen edhe mekanizmat institucionalë, të cilat tash janë palë të misionit ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërkohë janë ndërtuar mekanizma institucionalë të mirë. Edhe të gjithë ata njerëz potencialisht që kanë punuar në Kosovë kundër UÇK-së, tash kanë edhe një mision shtesë – për ta stërkequr policinë e Kosovës, mekanizmat institucionalë të Kosovës, ushtarakë edhe policorë.

Është vështirë të dallohet qëllimin e atyre që kanë punuar për 1misionet e tyre, por ne kemi misione të specializuara dhe të trajnuara për këto llogaritje dhe përfundime, dhe besoj se kemi kapacitetet të shëndosha për t’i vërtetuar këto gjëra. Nuk është që nuk njihen ata, se ata tregojnë vetë. Nuk janë pak, por nuk janë për të ndaluar zhvillimin e shtetit tonë. Do të dëgjoni edhe emra të rëndësishëm”, ka thënë Mustafa në Oksigjen të Klan Kosovës, raporton KosovaPress.

Deklarimet e tij vijnë në kohën kur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka marrë vendim për privimin nga shtetësia e Kosovës të Nikola Vujoviq, i cili dyshohet për rrezikimin e sigurisë kombëtare.

Sveçla shkroi të shtunën në Facebook se Serbia ka realizuar një strategji agresive duke përfshirë individë nga Kosova në strukturat e sigurisë dhe inteligjencës.

“Serbia ka punësuar shtetas të Republikës së Kosovës brenda institucioneve të saj të sigurisë dhe inteligjencës, akt ky në kundërshtim me ligjet tona dhe cenim i sigurisë sonë kombëtare. Duke pasur parasysh qëllimet agresive të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, adresimi institucional i rasteve të tilla është jo vetëm një çështje e rendit ligjor, por një domosdoshmëri për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe sovranitetit shtetëror”, ka shkruar ai.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat