U morë në pyetje nga Prokuroria, reagon Bislimi/ Ja çka thotë

Aktuale

U morë në pyetje nga Prokuroria, reagon Bislimi/ Ja çka thotë

Më: 18 qershor 2025 Në ora: 09:14 Përditësuar në ora: 12:44 më 18.06.2025
Besnik Bislimi

Bislimi reagon pas intervistimit

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka reaguar pas intervistimit të tij në Prokurorinë Speciale lidhur me hetimet për funksionalizimin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore në Drenas.

Në një postim në rrjetet sociale, Bislimi bëri të ditur se ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit, por theksoi se pyetjet e bëra nuk përkonin me këtë cilësi.

“Intervista zgjati diku 1 orë e 30 minuta dhe përgjatë kësaj kohe nuk kishte asnjë pyetje që mund të cilësohet si pyetje drejtuar një dëshmitari,” shkroi Bislimi.

Ai shtoi se informacionet që ka prezantuar mund të ishin siguruar lehtësisht nga vetë Prokuroria, pa qenë e nevojshme thirrja për intervistë.

“Do të kishte mjaftuar një studim minimal për detyrat dhe përgjegjësitë e zëvendëskryeministrit brenda portfolios së integrimeve evropiane dhe një shfletim i shpejtë i raporteve për vendin ndër vite nga Komisioni Evropian”, theksoi Bislimi.

Zëvendëskryeministri në detyrë vlerësoi gjithashtu se intervistimi i tij kishte qëllim mediatik dhe jo hetimor, duke aluduar për një ndërhyrje të qëllimshme në kohën kur zhvillohej dialogu në Bruksel.

“Del i pashmangshëm përfundimi se qëllimi parësor i kësaj interviste ka qenë prodhimi i lajmit medial, ku eksponentë të qeverisë bëhen pjesë e titujve bashkë me termin ‘skandal’”, shkroi Bislimi.

Ai kritikoi ashpër edhe Prokurorinë, duke thënë se kjo mënyrë veprimi e vendos atë në një “perspektivë jashtëzakonisht negative” karshi përgjegjësive të saj.

“Do të ishte me interes të shumëfishtë që kjo qasje të rishikohet,” përfundoi Bislimi. 

Përfundon intervistimi i Bislimit, nuk jepen detaje

Ka përfunduar intervistimi i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi në Prokurorinë Speciale.

Bislimi nuk është deklaruar para gazetarëve pas intervistimit që zgjati dy orë në Prokurori.

Ai ishte ftuar për të dhënë deklaratë për rastin e hetimeve mbi dyshimet për dhënien me qira të fabrikës për mbetje shtazore nga ministria e Bujqësisë.

Bislimi paraqitet në prokurori për rastin e fabrikës së mbetjeve shtazore

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka hyrë në Prokurorinë Speciale pasi është ftuar për të dhënë deklaratë për rastin e hetimeve mbi dyshimet për dhënien me qira të fabrikës për mbetje shtazore nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ishte ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ai që e ka përmendur Bislimin për çështjen e funksionalizimit të kësaj fabrike.

Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë  Speciale, në fund të muajit të kaluar, kreu bastisje në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë e Ferizaj, nën dyshimin për keqpërdorim të kontratës për dhënien me qira të kësaj fabrike.

Deri më tash lidhur me këtë rast janë intervistuar ministri Peci dhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Bekim Hoxha.

-------

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, pritet të intervistohet sot nga Prokuroria Speciale, në lidhje me hetimet që lidhen me dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore, që është nën kompetencën e Ministrisë së Bujqësisë.

Bislimi është ftuar për intervistim të hënën, mirëpo për shkak të angazhimeve zyrtare, ai ka kërkuar që deklarimi të bëhet sot (e martë) në orën 09:30.

Kjo thirrje për intervistim vjen pas deklaratave publike të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, i cili në një intervistë në media, e implikoi Bislimin në çështjen e funksionalizimit të fabrikës së mbetjeve shtazore.

“Më ka ftuar në zyre dy herë për këtë temë edhe bashkë me stafin që merret me vlerësimin e mekanizmave evropian dhe e ka ngritë shqetësimin që nuk mundemi me vazhdu me lanë Kosovën në pikën ku ne vazhdojmë me pas një prej vërejtjeve kryesore, mos funksionalizmin e fabrikës…më ka thirrë për herë të dytë, kam shku bashkë me kryeshefin. Zv/kryeministri Besnik Bislimi ka thënë nuk është e rëndësishme sa ka me pasë kosto financiare, e rëndësishme është me i trajtu mbetjet shtazore”, – deklaronte Peci më 16 maj 2025.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat