Publicisti Gëzim Mekuli ka kritikuar ashpër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për pasivitetin e tyre në skenën publike dhe mediatike.
Sipas tij, në kohën kur dezinformimi dhe shpifjet po gërryejnë themelet e demokracisë në Kosovë, heshtja e shumicës së deputetëve është e pafalshme.
“Vetëm 6-7 janë aktivë, por kjo është shumë pak”, thotë ai, duke shtuar se sulmet ndaj kryeministrit Kurti janë në fakt sulme ndaj vetë Republikës.
Mekuli i bën thirrje deputetëve të jenë më të zëshëm dhe më të pranishëm në publik, pasi mungesa e komunikimit, sipas tij, përbën dështim politik dhe institucional.
Shkrimi i plotë:
Deputetë të Vetëvendosjes, ku jeni?
Sot kur dezinformimi, shpifjet, lajmi i rremë, dhe propaganda e egër po gërryejnë themelet e mirëbesimit publik në Kosovë, është e pafalshme, është gabim i madh që 46 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje të qëndrojnë pasivë, thuajse të padukshëm në hapësirat mediatike. Ndoshta 6 a 7 janë aktiv, por këta janë pak, shumë, shumë pak!
Sot, kur sulmet ndaj Kryeministrit Kurti janë bërë të përditshme, nuk është vetëm figura e tij që po sulmohet; është vetë Republika e Kosovës që po vihet në pikëpyetje. Në këtë betejë të poshtër mediatike, heshtja ndaj lajmeve te rreme dhe rrenës nuk është neutralitet, është bashkëfajësi.
Komunikimi publik është një shtyllë thelbësore e funksionimit demokratik. Në mungesë të tij, hapësira mbushet me zhurmën e rremë të opozitës dhe me një diskurs publik që të vërtetën e paraqet si rrenë, e rrenën si fakt.
Të nderuar lexues,
Fakte të shumta tregojnë se qeveritë që nuk komunikojnë në mënyrë të vazhdueshme me qytetarët, lënë terren të lirë për manipulime.
Vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë gjatë pandemisë theksoi se "infodemia", përhapja masive e lajmeve të rreme, ishte po aq e rrezikshme sa vetë virusi. Në Kosovë, ky fenomen po ndodh me demokracinë: shpifjet po qarkullojnë më shpejt se faktet.
Ndër tjerash, kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë edhe e deputetëve të Vetëvendosjes. Nuk mjafton të votojnë në Kuvend apo të dalësh një herë në muaj në ndonjë studio televizive sall për adet.
Ju duhet të jeni aktivë çdo ditë; në televizion, në radio, në rrjete sociale, në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët. Të sqaroni, të informoni, të ballafaqoheni me gënjeshtrat dhe manipulimin. Pse heshtni? Pse nuk mbroji punën e mirë të Qeverisë që përfaqësoni?
Moskomunikimi i juaj me publikun është dështim politik, institucional dhe qytetar.
Sepse aty ku rrena, manipulimi dhe shpifja paraqitet si "fakt" dhe "realitet", dhe realiteti e fakti si "gënjeshtër", nuk kemi vetëm krizë komunikimi, por krizë të vetë demokracisë dhe të shoqërisë në përgjithësi. PIKË!