Hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli tha se barra kryesore e përgjegjësisë politike për dështimin e konstituimit të Kuvendit bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje – partia që ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Pasi deputetët nuk arritën ta konstituojnë Kuvendin brenda afatit që e kishte përcaktuar Gjykata Kushtetuese, Cakolli tha se ky është një “përfundim i turpshëm i një krize që u zvarrit me vetëdije”.
Kuvendi nuk u as në përpjekjen e 54-të të shtunën, më 26 korrik. Tani, deputetët nuk mund të ndërmarrin asnjë veprim në këtë drejtim, derisa Kushtetuesja – e cila ka vendosur masë të përkohshme - të tregojë hapat tutje.
“Barra kryesore e përgjegjësisë politike së gjithë këtij dështimi bie qartazi mbi subjektin politik që ka dalë i pari në zgjedhje dhe që kishte të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar Kuvendi. Por e drejta nuk mjafton kur mungon vullneti për konsensus dhe për ta çuar procesin përpara”, shkroi Cakolli në Facebook.
Cakolli tha se tani është një situatë e paprecedentë “me një Kuvend jofunksional e jolegjitim dhe me një qeveri në detyrë, të zgjedhur nga legjislatura e parafundit – anëtarët e së cilës nuk kanë as autoritet ligjor për vendimmarrje”.
Ai theksoi se qytetarët nuk e kanë merituar një shtet në pauzë për shkak të llogarive të ngushta partiake.
Sot ka hyrë në fuqi masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e cila ua ndalon deputetëve të zgjedhur çdo veprim, apo vendim për konstituim të Kuvendit deri me datën 8 gusht 2025.
Deputetët e patën të shtunën mundësinë e fundit që ta konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Ky institucion kishte urdhëruar ligjvënësit që ta bëjnë Kuvendin brenda një afati kohor prej 30-ditësh, pra deri më 26 korrik.
Të shtunën deputetët u mblodhën dy herë, në vazhdimin e seancës prej orës 14:00 si dhe natën në orën 22:00, por pa sukses. Seanca u mbajt si zakonisht - me kërkesën e kryesuesit, deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, për ta formuar një komision i cili do të mundësonte votimin e fshehtë të kryeparlamentarit. Kjo, sërish, u kundërshtua nga partitë e tjera parlamentare.
Kosova ka mbajtur zgjedhjet më 9 shkurt por ka mbetur pa institucione të reja si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit, që më pas do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë.
Seanca konstituive ka nisur më 15 prill. Procesi ka ngecur te pozita e kryetarit të Kuvendit për çka Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, e kanë propozuar deputeten Albulena Haxhiu. Nga partitë e tjera, ajo konsiderohet figurë e pa papranueshme.
Haxhiu dështoi gjashtë herë me radhë në votim të hapur të marrë mbështetjen e nevojshme prej 61 votash. Më pas seancat vazhduan me tentimin për votim të fshehtë, të gjitha pa sukses.