Millosh Pleskoviq është dënuar me 15 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për krime lufte në Kosovë. Ai u shpall fajtor për vrasjen e tre shqiptarëve civilë – dy pjesëtarëve të familjes Daçaj dhe Fatmir Bojaxhiut – në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla” në Prizren, në shtator të vitit 1998.
Pleskoviq, i njohur me nofkën “Miki”, u dënua në bashkëkryerje me të tjerë për vrasje të qëllimshme dhe në rrethana të rënduara, të kryera gjatë luftës.
Sipas aktakuzës, më 1 shtator 1998, viktimat R.D., B.D. dhe F.B., së bashku me të mbijetuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, ishin nisur drejt një mali afër lagjes “Hoqa Mahalla” për të marrë dru zjarri. Rreth 300 metra larg lagjes, ata hasën një grup prej 7-8 personash të armatosur e të uniformuar, të nacionalitetit serb.
Grupi i armatosur, me shirita në krah e në kokë, u kishte dhënë urdhër të ndalnin dhe i kishte fyer në gjuhën serbe. Në mesin e tyre ishte edhe i pandehuri Millosh Pleskoviq.
Sipas dëshmive dhe aktakuzës, Pleskoviq kishte hapur zjarr me një armë automatike të llojit “kallashnikov” në drejtim të grupit shqiptar. Gjatë përpjekjes për t’i shpëtuar plumbave, viktima B.D. kishte shtyrë më të riun e grupit, Xhenger Canën, duke e hedhur nën rrugë për ta mbrojtur. Tre prej tyre arritën të ikin, por tre të tjerët – R.D., B.D. dhe F.B. – mbetën të vrarë në vend.
Pas një jave, familjarët e viktimave u lejuan t’i marrin trupat nga vendi i ngjarjes. Por tronditja u bë edhe më e rëndë kur trupat u gjetën të gjymtuar: njëri pa kokë, tjetri pa këmbë.