Edhe pas largimit nga PDK-ja, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, nuk po “gjen qetësi”.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka denoncuar shqetësimet telefonike që, sipas tij, po u bëhen qytetarëve, përfshirë edhe nipat e tij, për shkak të përkrahjes publike që ata i japin atij.
Lladrovci paralajmëroi se, nëse këto presione vazhdojnë, ai do t’i drejtohet organeve të rendit dhe do të bëjë denoncime zyrtare.
Postimi i plotë:
Shqetësimi me telefon është vepër e dënueshme
Nuk është kulturë politike as demokratike shqetësimi me telefon dhe tendenca për të imponuar bindjen e keqbërësve.
Qytetarët, në mesin e tyre edhe nipat e mi, janë shqetësuar nëpërmjet telefonit dhe rrjeteve sociale se përse komentojnë dhe më ofrojnë përkrahje publike për kandidaturën time.
E kuptoj se telefonatat janë bërë nga paniku prej njërit nga familjarët e "dhjetëshes", por, nuk është as demokratike e as në kulturën politike kjo metodë e punës.
Nëse ndodh edhe një telefonatë e tillë e shqetësimit dhe presionit, do të njoftohen organet e rendit dhe do të bëj denoncime për këtë pafytyrësi.
Shqetësimi me telefon apo mjetet sociale, është vepër e dënueshme.
Moti jemi të operuar nga frika!