​Kolona të gjata në Merdare, pritjet mbi tri orë në dalje

Aktuale

​Kolona të gjata në Merdare, pritjet mbi tri orë në dalje

Më: 17 gusht 2025 Në ora: 11:28
Foto ilustrim

Fluksi i automjeteve me qytetarë në pikat e kalimeve kufitare të vendit tonë vazhdon të jetë i ngarkuar.

Sipas gjendjes së orës 10:29, pritjet më të gjata janë në dalje të pikës kufitare Merdare, me nga tri orë e njëzetë minuta, me kolona të automjeteve dy kilometra, ndërsa në hyrje të kësaj pike kufitare pritjet janë tre deri në pesë minuta dhe nuk ka kolona, raporton KosovaPress.

Pritje ka edhe në pikën kufitare Dheu i bardhë, ku kolona e automjeteve në dalje është katërqindepesëdhjetë metra e gjatë, me pritje rreth një orë e gjysmë, ndërsa në hyrje pritjet janë pesë minuta dhe nuk ka kolona të automjeteve, njofton Qendra kombëtare për menaxhim kufitar.

Kolona deri në pesëdhjetë metra ka edhe në Mutivodë, kur pritjet në dalje shkojnë deri në gjysmë ore, ndërsa në hyrje të kësaj pike kufitare nuk ka kolonë të automjeteve.

Edhe në pikën kufitare Jarinje ka kolonë për dalje 150 metra me kohë të pritjes deri në 20 minuta kurse në hyrje pesë deri në dhjetë minuta.

Në pikat kufitare po regjistrohet fluks i madh daljesh, për shkak të kthimit të bashkatdhetarëve në vendet ku jetojnë e punojnë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat