Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se votuan për zgjedhjen e Dimal Bashës për kryekuvendar për të zhbllokuar ngërçin në Kuvend dhe t’i hapin rrugë konstituimit të legjislaturës së nëntë.
Ai pas zgjedhjes së Bashës si kryekuvendar tha se pret që sot të votohen edhe nënkryetarët e Kuvendit, në mënyrë që të rrjedhin afatet ligjore për formimin e qeverisë, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Krahas kësaj, Krasniqi bëri të ditur se do të propozojnë deputeten, Vlora Çitaku për nënkryetare të Kuvendit nga radhët e PDK-së.
Krasniqi: Votuam për zhbllokim të Kuvendit
“Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje konsiderojnë se qytetarët e Kosovës më së miri i përfaqëson Dimal Basha. Në një situatë normale dhe botë paralele, asnjëherë nuk do të votonim dikë si Dimali në krye të Kuvendit. Por ne sot kemi votuar siç kemi thënë për të zhbllokuar situatën, për të carë bllokadën e Albin Kurtit dhe qëndruar besnik fjalës së dhënë publike. Për PDK-në dhe mua kjo është e rëndësishme. Disa vlera morale që në politikën e Kosovës janë zbehur, veçanërisht nga Albin Kurti, ne të tjerët duhet t’i kthejmë dhe fjalën që kemi dhënë e mbajtëm sot. A jemi të lumtur që është zgjedhur Dimal Basha kryetar, nuk besoj se janë të lumtur as deputetët e LVV-së. Ju i patë me fytyra të varura, por megjithatë sot kemi kryetar të Kuvendit. Shpresoj shumë që të kemi edhe nënkryetar dhe sot të konstituojmë Kuvendit dhe të hyjmë në afate kushtetuese për të dalë nga ky ngërç i tej zgjatur që është imponuar prej LVV-së”, tha ai.
Basha në seancën e sotme u zgjodh kryeparlamentar me 73 vota për, ndërkaq tridhjetë ishin kundër dhe si dhe tri abstenime.