Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha para seancës për konstituimin e Kuvendit, të enjten, u bëri thirrje deputetëve që të votojnë Nenad Rashiqin për nënkryetar nga komuniteti serb.
Në një konferencë për medie, Basha tha se deputetët kanë mundësinë të votojnë një deputet nga komuniteti serb, i cili e njeh Kosovën si Republikë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta kenë mundësinë ta votojnë Nenad Rashqin si nënkryetar. Ka një deputet nga komuniteti serb që e njeh Republikën e Kosovës dhe i drejtohet Kosovës si Republika e Kosovës e jo deputetë tjerë që ende i referohen me terma pezhorativ ofendues si “Kosovë e Metohi”, tha Basha.
Me mosvotimin e Rashiqit më 26 gusht, tha se është humbur një mundësi e madhe, e cila nuk duhet t’iu ikë edhe sot.
Ai tha se edhe deputetë nga komuniteti pakicë joserbë kanë votuar për Nenad Rashiqin.
“Dua ta bëj një ftesë, një lutje për gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të votojnë për Nenad Rashiqin se është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për Republikën tonë, ku do ta kemi një serb- pra një deputet që përfaqëson interesat e qytetarëve të kësaj Republike dhe e njeh Repubikën e Kosovës”, tha Basha.
Sipas tij, përkrahja për Rashiqin do duhej të vinte nga të gjithë deputetët. Tha se ky deputet u votua vetëm një herë, e që sipas tij, mund të votohet deri në tri herë.
Lidhur me dorëheqjen e ministrit në detyrë Liburn Aliu, Basha tha se e çmon kontributin e tij si aktivist në Lëvizjen Vetëvendosje dhe respekton punën që ka bërë si ministër.
Paraprakisht, Basha foli për punimin e vitit 2012 me titull “Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi transnacional, Islami fundamental dhe aleancat e padrejta”, në të cilin figuron si bashkautor me Jana Arsovskan, duke përsëritur se ka përgjegjësi vetëm për një kapitull të këtij punimi dhe jo për përmbajtjen kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai fillimisht tha se në vitin 2012 kur ka qenë student, ku sikurse dhe studentë të tjerë kanë dorëzuar hulumtime publike. “Unë së pari kam bërë hulumtim për depërtimin e islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, por gjithmonë kam pasur në fokus Kosovën. Unë kam dërguar hulumtime që lidhen vetëm e këtë temë dhe këtu përfundon përgjegjësia ime për punimin në fjalë”, tha Basha.
Ai shtoi se edhe tema e tij në master më 2013 e mbulon vetëm pjesën e depërtimit të islamit fundamentalist në Evropën Juglindore- me fokus Kosovën.
Kryetari tha se këtë gjë e thotë se profesoresha e fakultetit ku studioi, Jana Arsovska, e cila sipas tij, përmes një e-maili demantues për medie, ka bërë të qartë që ai ka dorëzuar për publikim vetëm hulumtimin që trajton temën e islamit fundamentalist.
“Dhe nuk kam shkruar asnjë shkronjë, asnjë fjalë e asnjë fjali nga kapitujt tjerë. Këto akuza dhe lidhjet e mia me raportin e Dick Martyt janë shumë të ulëta dhe rënduese për mua dhe qytetarët e Kosovës sepse sa për dijeninë tuaj, në vitin 2010 kam publikuar shkrim, të cilin do ta ndaj edhe me ju të nderuar gazetarë, ku kam bërë thirrje që të luftohet ky raport sepse do të na kushtojë shumë si popull por edhe si vend”, u shpreh Basha.
Basha përsëriti se e ka të shenjtë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e populli tonë për liri.
“Dua të deklaroj me përgjegjësinë më të madhe qytetare e kombëtare se kurrë në jetën time nuk është shkruar dhe nuk do të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë dhe kjo nuk do koment se sigurisht distancohem nga ata që kanë shkruar kundër kësaj vlere”, deklaroi Basha.
Ai tha se tash e sa vite është sulmuar nga mediet. Tha se kjo u bë edhe ndaj Donika Gërvallës.
Basha tha se u kërkon falje qytetarëve që janë shqetësuar nga siç e quajti ai “raportimi i rremë”, dhe u bëri thirrje medieve të raportojnë drejt.
Ndryshe, më 27 gusht, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes një komunikate për medie tha se procedura e ndjekur për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë ishte në kundërshtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit, Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe praktikën e deritanishme parlamentare.
IKD thekson se sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, votimi i nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve bëhet në pako (ashtu sikurse votimi i nënkryetarëve nga tri grupet më të mëdha parlamentare). Po ashtu, propozimi bëhet me shkrim, nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, respektivisht komuniteteve të tjera.
Lidhur me deputetin Nenad Rashiq, IKD thotë se nuk është i propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, të cilën shumicë e përbën Lista Serbe me 9 deputetë. Sipas IKD-së, procesi i shortit aplikohet vetëm kur nuk ka propozime të paraqitura, ndërkohë që në rastin e komunitetit serb, kishte propozime konkrete nga deputetët e këtij komuniteti.