Njohësi i çështjeve të sigurisë, Armend Halimi, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të disa individëve në Kosovë, të cilët sipas tij po relativizojnë rrezikun që paraqet Lista Serbe.
Halimi ka thënë se është shqetësuese kur shqiptarët shohin Listën Serbe si më pak të dëmshme se partitë shqiptare, pavarësisht se kjo organizatë është e dyshuar për lidhje me akte terroriste dhe veprimtari destabilizuese.
“Për çudi, një deklaratë skandaloze në njërën nga mediat tona kaloi qetësisht, derisa dikush nga kjo shoqëri e quajti LVV-në më terroriste sesa vetë Listën Serbe. Ne mund dhe duhet të kritikojmë keqqeverisjen, por askush nuk ka të drejtë morale e logjike të mbështesë hapur Listën Serbe,” tha Halimi.
Postimi i plotë:
Urrjetja patologjike dhe përçarja mes nesh kanë arritur në shkallë ekstreme.
Kush do ta mendonte se një organizatë e dyshuar për lidhje dhe ndihmë në akte terroriste, siç është Lista Serbe, do të shihej nga shumë shqiptarë si më pak e dëmshme sesa parti apo organizata shqiptare?!
Për çudi, një deklaratë skandaloze në njërën nga mediat tona, që tashmë për fat të keq është bërë rutinë, kaloi qetësisht, derisa dikush nga kjo shoqëri e quajti LVV-në më terroriste sesa vetë Listën Serbe!
Ne mund dhe duhet të kritikojmë keqqeverisjen, abuzimet dhe keqpërdorimet, sepse kjo forcon demokracinë. Por askush nuk ka të drejtë morale, as logjike, të justifikojë e aq më pak të mbështesë hapur Listën Serbe, një subjekt i njohur për destruktivitet ndaj Republikës sonë. Duhet thënë hapur: mbështetja e saj është mbështetje për Vuçiqin dhe Serbinë.
Kjo na lë të dyshojmë se mos vallë pas gjithë kësaj qasjeje nuk qëndron thjesht inati politik, por edhe pagesa për propagandë. Dhe një veprim i tillë, sipas çdo logjike demokratike dhe edhe sipas Kodit tonë Penal, konsiderohet spiunazh, sabotim apo tradhti.
Prandaj, nuk mund të akuzosh një politikan për “proserb”, ndërkohë që vetë rreshtohesh krah për krah me Listën Serbe. Kjo është automatikisht rreshtim me Serbinë. Nuk mund të ketë dy standarde!