Publicisti Nela: Lista Serbe nuk do ta ankimojë rastin në Kushtetuese, viktimizimi i shkon për shtat Vuçiçit

Aktuale

Publicisti Nela: Lista Serbe nuk do ta ankimojë rastin në Kushtetuese, viktimizimi i shkon për shtat Vuçiçit

Nga: A.SH Më: 30 gusht 2025 Në ora: 14:31
Milazim Maraj

Publicisti Milaim Nela ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke e quajtur atë një qorrsokak politik pa asnjë shenjë marrëveshjeje.

Ai tha se mosvotimi i kandidatit të Listës Serbe nuk është arsye e vërtetë për bllokimin e institucioneve, por vetëm një sebep politik. Sipas tij, partitë po e përdorin këtë situatë për patriotizma të rreme, ndërsa në thelb po sillen me hipokrizi.

“VV është hipokrite kur thotë se Lista Serbe është kundër shtetit, sepse qeveria kishte mundësi që në shtator 2023 ta shpallte atë organizatë terroriste e të paligjshme, por nuk e bëri. Po ashtu, PDK e ka humbur arsyen e mosvotimit duke mbështetur kandidaten Emilia Rexhepi”, thekson Nela.

Ai akuzon edhe LDK-në për retorikë të zbrazët dhe mungesë vullneti për marrëveshje, ndërsa thekson se partitë politike në heshtje janë pajtuar të shkojnë në zgjedhje, por asnjëra nuk guxon ta marrë hapin e parë.

“Me këtë Kushtetutë dhe ligj zgjedhor, nuk ka asnjë garanci se zgjedhjet e reja do të prodhojnë një konfigurim tjetër parlamentar nga ky që kemi sot. Gjasat që një parti të marrë mbi 50% të votave janë vetëm teorike. Në rastin më të mirë, kemi të bëjmë me papjekuri dhe amatorizëm politik”, shton ai.

Shkrimi pa ndërhyrje i Nelës:

Ndjesë miq se ndoshta u bëra i bezdisshëm!

Kuvendi i Kosovës është futur në qorrsokak. Nuk ka asnjë shenjë se do të kemi ndonjë marrëveshje politike dhe seanca e radhës e sotme e dëshmoi këtë.

Pranimi i ndarjes së votimit të dy nënkryetarëve nga pakicat duket se është jo në përputhje me Kushtetutën. Por fakti që kandidatja e pakicave joserbe u votua e ai i serbëve jo, e hedh poshtë argumentin e partive opozitare gjegjësisht të PDK-së se nuk votojnë propozim antikushtetues.

Sidoqoftë, nëse LS do ta ankojë në Kushtetuese vendimi do të jetë në favor të saj.

Personalisht mendoj se Lista Serbe nuk do ta ankimojë këtë sepse ankimimi do të thoshte pranim i shtetit të Kosovës. Atyre nuk ju intereson vendimi i Kushtetueses, por viktimizimi të cilin ata e morën dhe ja çojnë Vuçiçit në Beograd ta përdorë me ndërkombëtaret.

Pra, mosvotimi i kandidatëve të Listës Serbe është vetëm sebep e jo arësye e qenësishme për bllokim të institucioneve.

Dolë të gjithë përfaqësuesit e partive a na shitën patriotizma e konstruktivitet kur në fakt e gjithë shfaqja është hipokrizi.

Hipokrite VV-ja kur thotë se Lista Serbe është kundër shtetit duke harruar se qeveria e VV-së i kishte të gjitha argumentat politike dhe juridike për ta shpallur atë terroriste e të paligjshme në Shtator të vitit 2023 akt të cilin ajo nuk e ndërmori.

Pra mjaft me folklorizma!

Argumentin se PDK e ka djegur arësyen e mosvotimit të kandidatit të Listës Serbe duke votuar Emilia Rexhepin e theksova pak me sipër.

LDK vazhdon ligjërimin bajat se jemi per marrëveshje duke mos pranuar asnjë marrëveshje!

Po duket se në heshtje të gjithë janë pajtuar të shkojnë në zgjedhje por askujt nuk ja mban të bëjë hapin e parë e vazhdojnë shfaqjet bajate çdo 48 orë.

Ajo që partitë nuk po e llogaritin është se me këtë kushtetute e ligj zgjedhor nuk ka asnjë garanci se zgjedhjet e reja do të prodhojnë një konfigurim parlamentar të ndryshëm nga ai që kemi sot. Kjo sepse gjasat që një parti të marrë mbi 50% të votave janë thuajse vetëm teorike!

Në rastin më të mirë kemi një papjekuri dhe amatorizëm politik.

Kosova mbetet të paktën edhe për disa muaj në ngërç politik e pa institucione të legjitimuara.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat