Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot kryetarin e sapozgjedhur të Kuvendit, Dimal Basha.
Në takim, Basha prezantoi qëndrimin e tij për procesin e konstituimit të Kuvendit, ndërsa Presidentja Osmani njoftoi se ekipi ligjor i Presidencës po analizon këtë proces.
Ajo theksoi se do të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, duke garantuar stabilitet institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.
Njoftimi i plotë:
Presidentja Osmani priti në takim kryetarin e Kuvendit, z. Dimal Basha
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim, në cilësinë e tij, të kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, z. Dimal Basha.
Në këtë takim, Kryetari Basha e ka prezantuar qëndrimin e tij lidhur me konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, Presidentja Osmani e ka informuar kryetarin Basha se ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Presidentja ka potencuar se, sikurse gjithmonë, do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës.