Komuna e Mitrovicës ka pezulluar punën e Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Fondit për Sigurim Invalidor e Pensional që funksiononin sipas sistemit të Serbisë. Vendimi u mor më 12 shtator pas një kontrolli të Inspektoratit, i asistuar nga Policia e Kosovës, ku u konstatua se personat në objekt nuk kishin dokumentacion të vlefshëm.
“Puna është pezulluar përkohësisht, ndërsa procedura e mëtejshme do të zhvillohet sipas ligjeve në fuqi”, ka njoftuar Komuna, raporton Radio Evropa e Lirë.
Nga Beogradi, drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, dhe ministri i Jashtëm, Marko Gjuriq, e kanë quajtur këtë vendim “goditje ndaj sistemit shëndetësor” dhe “akt të papranueshëm”, duke kërkuar reagim nga komuniteti ndërkombëtar.
Fondi i shëndetësisë i Serbisë në Kosovë ofronte shërbime si lëshimin e libreza shëndetësore, komisione mjekësore dhe pagesa kompensimesh.
Ky hap i autoriteteve të Kosovës vjen në përputhje me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara. E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, më 4 shtator kishte theksuar se të gjitha institucionet paralele serbe – përfshirë arsimin dhe kujdesin shëndetësor – duhet të integrohen në sistemin e Kosovës. / BS