Organizata Shqiptaria kundër përdorimit të fesë për qëllime elektorale

Aktuale

Organizata Shqiptaria kundër përdorimit të fesë për qëllime elektorale

Më: 22 shtator 2025 Në ora: 12:17
Foto ilustrim

Organizata Shqiptaria shpreh shqetësimin e saj të thellë për siç thuhet për fenomenin gjithnjë e më të shprehur të përdorimit të fesë në fushatat zgjedhore për kryetarë komunash. Sipas Organizatës Shqiptaria, ky trend është i papranueshëm dhe përbën cenim të drejtpërdrejtë të laicitetit të shtetit të Kosovës.

“Deklarata e kandidatit për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj, për të liruar nga taksat dhe shpenzimet e energjisë të gjitha objektet fetare, nuk është as politikë sociale, as vizion qytetar. Ky është populizëm fetar dhe abuzim i qartë me ndjenjat fetare të qytetarëve për vota. Një qasje e tillë cenon barazinë qytetare dhe përdor fenë si instrument politik. Shteti nuk është hoxhë, as prift – shteti është i të gjithëve dhe nuk mban anë për asnjë fe”, thuhet në reagimin e Organizatës Shqiptaria.

Më tej në reagim thuhet po ashtu se praktika e takimeve elektorale me klerikë dhe përfshirja e figurave fetare në fushata zgjedhore janë pjesë e të njëjtës strategji të rrezikshme të islamit politik dhe instrumentalizimit të fesë për pushtet.

“Ky precedent është i rrezikshëm dhe rrezikon të minojë kohezionin shoqëror”, thuhet në reagim.

Megjithatë, sipas Organizatës Shqiptaria është inkurajuese që disa kandidatë po tregojnë përgjegjësi politike dhe qytetare.

“Bashkim Fazliu, kandidat për kryetar të Ferizajt, dhe Bekë Berisha, kandidat për kryetar të Prishtinës, kanë dëshmuar publikisht se e respektojnë shtetin laik dhe janë konsistentë në mbrojtjen e laicitetit dhe kulturës shqiptare në Kosovë. Ky është modeli i drejtë i lidershipit që duhet të ndiqet nga të gjithë”, thuhet në reagim.

Organizata Shqiptaria kërkon nga KQZ dhe PZAP të veprojnë me vendosmëri dhe të ndëshkojnë çdo përpjekje për përfshirjen e fesë në fushatë zgjedhore. Nëse nuk vendosen kufij të qartë dhe sanksione të rrepta, zgjedhjet rrezikojnë të shndërrohen në garë predikimesh fetare dhe jo programesh politike.

“Laiciteti është themeli i lirisë dhe garancia e barazisë. Kush e cenon atë, nuk duhet të ketë vend në udhëheqjen e institucioneve publike”, thuhet në fund të reagimit të Organizatës Shqiptaria.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat