Kurti e thotë qartë: Nuk do të lejohet të hiqet asnjë grimë nga territori, sovraniteti apo nga pavarësia e Kosovës

Aktuale

Kurti e thotë qartë: Nuk do të lejohet të hiqet asnjë grimë nga territori, sovraniteti apo nga pavarësia e Kosovës

Më: 24 shtator 2025 Në ora: 10:49 Përditësuar në ora: 16:28 më 24.09.2025
Albin Kurti

Kurti: Nuk do të lejohet të hiqet asnjë grimë nga territori, sovraniteti apo nga pavarësia e Kosovës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në akademinë përkujtimore në dyvjetorin e Afrim Bunjakut ka thënë se edhe vidoexhirimet nga dronët tregojnë se në krye të grupit kriminal ishte Millan Radoiçiqi.

Edhe përkundër kësaj, Kurti tha se Lista Serbe asnjëherë nuk e ka dënuar sulmin terrorist serb në Banjskë të Zveçanit.

Këtu ai çoi mesazh se nuk do të lejohet të hiqet asnjë grimë nga territori, sovraniteti apo nga pavarësia e Kosovës.

“Siç e kemi parë edhe nga videoxhirimet me dron, në krye të grupit kriminal ishte Milan Radoiçiq, që në atë kohë ishte nënkryetar i partisë Lista Serbe. Pavarësisht kësaj, Lista Serbe asnjëherë nuk e ka dënuar sulmin terrorist në Banjskë”.

“Në këtë pikë më lejoni të them sa më qartë as Lista Serbe dhe asnjë parti apo organizatë e fshehtë apo legale, nuk do të mund, sepse nuk do të lejohet, ta heqë asnjë grimë nga territori, sovraniteti apo nga pavarësia e Republikës së Kosovës. Kjo sepse Kosova është dhe do të vazhdojë që të mbetet histori e suksesshme e shtet-ndërtimit, për të cilin paraprakisht janë mbajtur mijëra e mijëra vite burgosje politike, janë vrarë mbi 2 mijë dëshmorë gjatë luftës së drejtë të UÇK-së, janë vrarë e masakruar mijëra viktima civile në luftë pikërisht me Serbinë”, tha ai.

Djali i Afrim Bunjakut emocionon: Babi im nuk ishte vetëm i imi, por i gjithë Kosovës

Në akademinë përkujtimore të mbajtur me rastin e dyvjetorit të rënies heroike të Afrim Bunjakut, fjalë prekëse mbajti djali i tij, Fatlum Bunjaku.

Ai kujtoi me mall dhe krenari babain e tij, duke theksuar se Afrim Bunjaku nuk ishte vetëm babai i tij, por i gjithë Kosovës.

“Sot jemi mbledhur këtu për të kujtuar babin tim, heroin e Kosovës, Afrim Bunjakun. Kanë kaluar dy vite nga ajo ditë e dhimbshme kur ai ra heroikisht, por plagët e mungesës së tij nuk shërohen kurrë. Çdo mëngjes kur zgjohem, ndjej boshllëkun, e kujtoj buzëqeshjen dhe fjalët e tij. Edhe pse nuk është pranë meje, unë ndihem krenar që pata një baba si ai. Sa herë i kujtoj kolegët e tij, më kujtohet se babi im nuk ishte vetëm i imi, por i gjithë Kosovës”, tha Fatlum Bunjaku.

Kurti: Ndërkombëtarët të mos e trajtojnë Serbinë si shtet normal pa dorëzimin e Radoiçiqit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtarë që mos ta konsiderojnë Serbinë “shtet normal” përderisa nuk i dorëzon pjesëtarët e grupit terroristë që kryen sulmin në Banjskë të Zveçanit dy vjet më parë.

Kurti ka thënë se Milan Radoiçiq dhe pjesëtarët tjerë të këtij grupi ndaj të cilëve është ngritur edhe aktakuzë duhet të dorëzohen në Kosovë.

“I bëjë thirrje faktorit ndërkombëtarë që mos ta konsiderojnë Serbinë, shtet normal derisa nuk i dorëzon kriminelët të udhëhequr nga Milan Radociqi dhe të mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq. Këta duhet t’i dorëzohen Kosovës”, ka thënë Kurti pas homazheve të bëra tek varri i heroit Afrim Bunjaku në dy vjetorin e vrasjes së tij në Banjskë.

Kurti ka thënë rënia e rreshterit Bunjaku nuk ishte e kot, pasi Kosova pas këtij sulmi doli më e fortë si në aspektin e brendshëm, por edhe në atë ndërkombëtarë.

“Rënia heroike e Afrim Bunjakut nuk ishte e kot, ishte një rënie e cila e ngriti Republikën Kosovës, shtetin tonë të pavarur edhe se brendshmi edhe në reputacionin e saj ndërkombëtarë , se kemi të bëjmë me një shtet i cili i del zot vetvetes dhe ka policë që sakrifikohen për të mbrojtur qytetarët pa dallim”, ka thënë Kurti.

Krerët e shtetit nderojnë heroin Afrim Bunjaku në dyvjetorin e rënies

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kryekuvendari, Dimal Basha, nënkryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministrat në detyrë Xhelal Sveçla, Faton Peci e Hajrullah Çeku si dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha kanë vendosur kurora lulesh pranë varrit të heroit, Afrim Bunjaku në dyvjetorin e rënies së tij në shërbim të mbrojtjes së atdheut.

Ndërkohë, pasdite do të mbahet edhe akademi përkujtimore për heroin, Afrim Bunjaku.

Më 24 shtator të vitit 2023 rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës, pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës që ndodhi nga një grup terroristësh serb të prirë nga kryekrimineli Milan Radoiçiq.

Më 11 shtator të vitit të shkuar, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë edhe Milan Radoiçiqin, por ai ende mbetet i lirë në Serbi. 

Prokuroria kishte thënë se të përfshirët, kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal, duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave.

-----

Në dy vjetorin e rënies heroike të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku në varrezat e fshatit ku prehet trupi i të ndjerit kanë shkuar shumë qytetarë, politikanë e figura tjera politike për te bërë homazhe tek varri i tij.

Homazhe pritet të bëjnë edhe krerët e institucioneve shtetërore.

Më 24 shtator të vitit 2023, një grup serbësh të armatosur, në krye me terroristin Millan Radoiçiq, sulmuan Policinë e Kosovës. Aty mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, dhe u plagosën të tjerë.

Forcat speciale qëlluan për vdekje tre serbë, ndërkohë që pjesëtarë të grupit terrorist u larguan drejt Serbisë përmes rrugëve malore.

Grupi prej rreth 50 personave që udhëhiqej nga kryeterroristi, Milan Radoiçiq - i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i kërkuar edhe nga institucionet vendore si i përfshirë në vrasje- me veshje ushtarake ishte vendosur në Manastirin e Banjskës e përreth tij.

Gati një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale më 11 shtator ka ngritur aktakuzë, ku në mesin e të akuzuarve kryesor është Radoiçiq, si udhëheqës i grupit. Sipas aktakuzës ata kanë kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Disa nga ata akuzohen edhe për financim të grupit, e shpëlarje të parasë.

Serbia ende nuk ka dorëzuar kriminelët e Banjskës, përkundër kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe të disa aleatëve ndërkombëtarë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat